Është shoqëruar me përplasje fizike procesi për zgjedhjen e kreut të PD-së për Bulqizën, të organizuara nga Komisioni i Rithemelimit. Mbështetës të kandidatëve Fatos Hoxha dhe Shaqir Manjani janë përplasur në ambientet e Kinemasë së qytetit duke shqyer edhe derën e saj me qëllim futjen brenda ambienteve të votimit.
Mësohet se sherri ka nisur pasi njëri nga kandidatët ka parë prani të shtuar të votuesve të rivalit të tij duke tentuar kështu moslejimin e vijimit të votimit.
Lexo edhe: Sot zgjedhjet për Kryetar të PD-së në dy degë, Komisioni i Rithemelimit publikon emrat e kandidatëve
Një veprim i tillë ka shkaktuar tension mes të pranishmëve duke bërë që të vijë edhe policia.
Zgjedhjet për kreun e PD të Bulqizës kanë qenë problematike që në fillim pasi më herët, është tërhequr nga gara edhe Dëfrim Fiku pas një takimi të kandidatëve me Berishën në Tiranë.
Rithemelimi është duke organizuar zgjedhje për riorganizimin e strukturave të partisë në rrethe, gjë që është kundërshtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe një pjesë e mirë e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së. Ata kanë theksuar se kjo nuk i shërben bashkimit të partisë dhe se duhej ndalur si proces. Zgjedhje të ngjashme zhvillohen sot edhe në degën e PD-së në Himarë. /abcnews.al