Shërbimet online për bizneset/ Ministrja Ibrahimaj: Po analizojmë dokumentacionin për të lehtësuar procedurat

schedule20:19 - 26 Janar, 2024

schedule 20:19 - 26 Janar, 2024

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe klimën e biznesit, Delina Ibrahimaj thotë se ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka qenë e qëndrueshme.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Ibrahimaj u shpreh se pjesa më e madhe e shërbimeve qeveritare, tanimë kanë kaluar online.

Ibrahimaj u ndal edhe te aplikimet e biznesit për shërbimet që kanë nevojë, ku nënvizoi se po punohet për analizimin e dokumentacionit, me qëllim lehtësimin e procedurave.

“Ecuria e viteve të fundit të zhvillimeve ekonomike ka treguar që ekonomia shqiptare është e qëndrueshme. Unë, thashë, që të flasësh për problematikat e ekonomisë së gjerë, mund të flasim sipas sektorëve. Jemi duke punuar për kapitalin njerëzor, është aseti më i rëndësishëm që ne kemi. Kjo është një nga sfidat e biznesit, të qeverisjes. Është një sfidë gjithëpërfshirëse. Synojmë që brenda këtij viti të bëjmë një analizë të thelluar për punën e institucioneve publike. Jemi duke analizuar dokumentacionin për aplikim. Pjesa më e madhe e shërbimeve qeveritare janë online. Niveli i digjitalizimit ka qenë më i ulët, sot kemi bërë investime. Kjo është aryeja pse po i analizojmë dokumentat që i duhet biznesit për të bërë aplikime për shërbime.

Analiza e nevojës së një dokumenti është një element tjetër. Janë procese të cilat në përfundim do të ndikojnë në koston e të bërit biznes. Është bërë një punë e jashtëzakonshme deri tani, do të ofrohen një gamë e gjerë shërbimesh. Kjo është thelbësore për klimën e biznesit. Ky është një element që po ndiqet dhe është edhe në prioritetet e Bashkimit Evropian”, theksoi ajo./abcnews.al