Sot shënohen 10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, e cila më 5 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u bërë Shën Tereza e Kalkutës.
Në këtë ditë përkujtimore, Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, kanë përcjellë mesazhe nderimi për figurën dhe trashëgiminë humanitare të shenjtores shqiptare.
Ambasadorja e BE-së ka vënë në pah vlerat e humanizmit, solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes që përcolli Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj.
“Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, shkruan Moreira de Sousa, duke sjellë në vëmendje një prej mesazheve më të njohura të Nënë Terezës.
Sipas ambasadores, në Shqipëri, si atdheu i Nënë Terezës, mesazhi i saj merr një kuptim të veçantë dhe mbetet një burim frymëzimi për të gjithë.
“Këtu në Shqipëri, në atdheun e Nënë Terezës, mesazhi i saj ndihet veçanërisht i afërt. Sot nderojmë një trashëgimi që duhet të na frymëzojë të gjithëve: të shërbejmë me humanizëm, t’u qëndrojmë pranë njerëzve dhe të punojmë çdo ditë për të mbrojtur dinjitetin, solidaritetin dhe gjithëpërfshirjen, vlera që qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian”, shprehet ajo.
Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ka kujtuar veprën e Nënë Terezës, duke theksuar përkushtimin e saj ndaj njerëzve më në nevojë.
“Sot, kujtojmë shenjtërimin e Nënë Terezës, një grua që ia kushtoi jetën e saj më të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke i kujtuar botës se madhështia gjendet te shërbimi, jo te statusi. Siç ka thënë Presidenti Trump, ajo ‘përfaqëson më të mirën tek të gjithë ne’”, shkruan Ambasada Amerikane.
Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku drejtoi Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Jubileut të Mëshirës dhe mblodhi më shumë se 120 mijë besimtarë, mes tyre edhe shumë shqiptarë.
Një ditë më pas, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza u shpall zyrtarisht shenjtore nga Papa Françesku, pas njohjes nga Vatikani të dy mrekullive të lidhura me shërimin e të sëmurëve pas vdekjes së saj.
Sot, dhjetë vite pas atij momenti historik, Shën Tereza e Kalkutës vijon të mbetet një prej figurave më të njohura të humanizmit në botë dhe një simbol i veçantë për shqiptarët.

