LEZHË- Lezha hapi zyrtarisht sezonin turistik veror në bregdetin e Shëngjinit. Atmosfera festive mblodhi vizitorë, qytetarë vendas dhe operatorë të turizmit nga e gjithë zona.
Përgjatë vijës bregdetare pati sporte ujore, ndërsa në sheshin kryesor u prezantua oferta turistike e bizneseve lokale, kultura, trashëgimia dhe gastronomia karakteristike e Lezhës.
Operatorët turistikë thonë se këtë verë nuk do të mungojnë risitë dhe paketat e reja turistike për të tërhequr sa më shumë pushues vendas dhe të huaj. Për vizitorët, bregdeti i Lezhës mbetet një nga destinacionet më të preferuara verore, falë natyrës, mikpritjes dhe eksperiencës që ofron zona.
Lezha, me potencialin e saj, mbetet një destinacion konkurrues dhe tërheqës jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit. Festa vazhdoi deri në mbrëmje vonë me koncert, muzikë dhe artistë të njohur që ndezën qytetin në këtë fillim sezoni./abcnews.al


