Dhjetëra banorë të fshatit Malbardhë të Kurbinit, janë mbledhur në kishën 8 shekullore për të kremtuar festën e Shën Mëhillit.
Ky është një fshat me pak besimtarë katolikë dhe me më shumë myslimanë.
Banorët shkojnë aq mirë me njëri-tjetrin sa festat fetare i festojnë të gjitha sëbashku.
“Jam myslimane, vijmë në këtë kishë çdo vit, ishalla na ndihmon zoti”, shprehet një qytetare.
“Këtu myslimanë dhe katolikë kanë një bashkëjetesë të mirë, si në asnjë fshat tjetër. Unë kam shkuar në shtëpitë e katolikëve dhe kam festuar Krishtlindjet dhe Pashkën. Po ashtu unë i kam ftuar në shtëpi për Bajram”, tregon një tjetër qytetar.
Kisha është dëmtuar nga ndër vite, por Ndue Lala dhe vëllezërit e tij, siç i quan ai banorët që i përkasin besimit myslimanë e kanë riparuar dhe mirëmbajtur.
“Kishën myslimanët e rregulluan myslimanët. Është diçka shumë e veçantë. Ata e dinë historinë e të parëve, turku na ndau po mua me myslimanët një nënë më ka bërë”, thotë ai.
Shën Mëhilli, ky shenjtor që i luten banorët e fshatit Mali i Bardhë, ka pasur një mision të cilin na e sqaron Prifti, Sokol Pepushaj.
“Piu i 12 e ka caktuar Shën Mëhillin si pajtuesi i mediave. Mëhilli me Gabrielin dhe Rafaelin ka pasur nga Zoti misionin për të njoftuar lindjen e Jezusit, pra ndryshe quhet pajtor i komunikimit që na bën të komunikojmë më mirë dhe jo më keq”, tregon ai.
Fshati Malbardhi ka marrë këtë emër jo për shkak të gurëve të bardhë që ka zona, por për zemrën e bardhë banorëve të cilët njihen si nga më mikpritësit në Kurbin./abcnews.al/