Shembja e Teatrit, Meta: Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si President…

schedule13:40 - 24 Korrik, 2019

schedule 13:40 - 24 Korrik, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatit Kombëtar. Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit është shprehur i bindur se drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare do të ndëshkojë ata që sipas tij janë përfshirë në këtë krim që është simbol i kapjes së shtetit.

“Ky veprim është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia në raport me Kuvendin, qeverinë, institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të rendit kushtetues, të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht në kundërshti të plotë me interesat kombëtare të vendit, pasi ligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar është një simbol kryevepër ku si asnjëherë tjetër më parë kryhet në harmoni të plotë krim kushtetues, kombëtar, kulturor dhe e gjitha kjo në interes të asaj që mund të quaj me shumë të drejtë,  jo “rule of law”, por “rule of oligarchs”.

I siguroj se kam ardhur këtu për të garantuar që Republika e vendit do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit, boll me sundimin e oligarkëve dhe i siguroj të gjithë se duhet të ndërpritet akti kriminal që nisi në mëngjes dhe më solli mua këtu, do të veproj drejtësia shqiptare dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindësve lokale dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendi pa gjykatë kushtetuese deri tani”.

Nuk kemi Gjykatë Kushtuese, kush do ta gjykojë?

“Nuk jemi rastësisht pa gjykatë kushtetuese dhe fajin nuk e ka reforma, jo, reforma e votuar me 140 vota në kuvend nuk e linte vendin pa Kushtetuese, pa gjykatë e la “Ramaforma”, që përpiqet me të gjitha format e veta për të kapur këtë institucion. Një ditë drejtësia do të veprojë për të gjithë atë që janë përfshirë në këtë krim”.

Kryeministri ka deklaruar se do të ndërtohet Teatri, si do ta ndaloni?

“Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si President për t’i vënë para drejtësisë lokale dhe ndërkombëtare “rilindësit lokale” dhe “ndërkombëtarë” që kanë goditur reforma për tu dhënë drejtësi shqiptarë në mënyrë që t’i japin drejtësinë oligarkëve”.

Do të gjykojë edhe shkarkimin tuaj zoti Meta…

“Jam i lumtur për procesin e dekorimit që ka nisur ndaj meje, sot kam bërë dy vjet që jam betuar në Kushtetutën e Republikës, asnjë President më parë nuk ka ardhur këtu se nuk ka qenë e nevojshme, por unë kam bindjen se drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare janë e do të jenë në veprim pavarësisht mafiozllëqeve”.

Këto deklarata kreu i shtetit i bëri pas depozitimit në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. /abcnews.al