I ftuar në “Mbrëmje në ABC” me Mirela Milorin nënkryetar i PD-së, Edi Paloka ka folur për situatën pas tërmetit që goditi vendin. Ai tha se është kundër shembjes së objekteve që u dëmtuan nga tërmeti, pasi ky lloj nxitimi çon në prishjen e provave dhe mosidentifikimin e përgjegjësve.
“Në një situatë ku Prokurori thekson se nuk duhet të preken provat, Rama nuk duhet ti prekë ato sepse nuk janë vetëm ndërtuesit fajtorët. Kryeprokurori i ri sapo ka ardhur, por duhet të tregojë vullnet për të vendosur përgjegjësit para drejtësisë”, u shpreh ai.
“Po del ajo që kam thënë që në fillim se Rama është më i interesuar tu mbyllë gojën njerëzve se sa të merret me situatën. Lejet e ndërtimit janë zhdukur nëpër bashki. Nuk gjenden as shkesat për verifikimet pas termetit të 21 shtator. Unë e thashë që para se të dilnin këto fakte se Rama është i interesuar tu mbyllë gojën njerëzve dhe medias. Gjithë resurset duhet të ishin vendosur në funksion të kësaj ngjarje, por faktikisht parlamenti vazhdon me qetësi të miratojë koncesione”, vijoi Paloka.
I pyetur nga Mirela Milori nëse PD ka marrë përgjigje për 4 pyetjet që i ka drejtuar Bashkisë së Krujës për 24 jetët e humbura nën gërmadha dhe Ministrisë së Brendshme për vdekjen e kryekomisarit, Paloka tha se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Jo vetëm përgjigje që s’kemi marrë, por janë zhdukur letrat”.
“Nëse ata banorët e Thumanës nuk do ishin lejuar të hynin brenda në pallate pas termetit të 21 shtatorit, sot do ishin gjallë. Nuk do i kishte zënë brenda termeti i 26 Nëntorit. Kjo është përgjegjësi e madhe!”, theksoi numri II i PD në “Abc News”.
Paloka më tej u ndal te buxheti i 2020 i cili duhet të ishte ndryshuar në funksion të rindërtimit pas termetit. “Qeveria nuk e prek buxhetin, nuk prek as lekët e oligarkëve, por u mban punonjësve gjysmën e rrogës”, tha ai.
/abcnews.al