Shembet ura në Kukës, bllokohen disa fshatra, furgoni vë në “lojë” jetën e pasagjerëve

schedule09:38 - 1 Prill, 2022

schedule 09:38 - 1 Prill, 2022

Ura e Shtrezës në aksin Kukës-Shishtavec është shembur gjatë natës.

Abc sjell pamjet e urës e cila duket e shembur nga të dyja anët e saj për shkak të motit të keq.

Kjo urë ka bllokuar fshatrat Shishtavec, Novosej dhe Turaj, Vrojë etj të cilët kalojnë përmes saj gjatë ditës. Si pasojë më shumë se 6500 banorë që prej mëngjesit të sotëm kanë mbetur te bllokuar për shkak të dëmtimit të urës.

Duke mos pasur zgjidhje tjetër, një furgon ka kaluar sipër kësaj ure duke rrezikuar jetën e pasagjerëve që ndodheshin në të për shkak se mund të shembej komplet nga momenti në moment. Përfaqësues të Bashkisë, policisë rrugore dhe të ARRSH kanë bërë bllokimin e rrugës duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve për shkaqe sigurie. Tashmë ka nisur një vlerësim situate dhe ekspertet do të punojnë për një zgjidhje emergjente deri në një zgjidhje përfundimtare. Ura ne fjale është pjesë e rrugës Kukës Shishtavec një investim i përfunduar në vitin 2013. Një apel ndaj shoferëve ka edhe ARRSH e cila u kërkon të jenë të kujdesshëm.

“Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet duke sjellë rënie gurësh dhe materialesh në trup të rrugës. Në aksin Ura e Zapodit-Shishtavec si pasojë e reshjeve të shiut me erë të fortë është dëmtuar një urë, po vendoset sinjalistikë dhe po merren masat e para. Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në terren për pastrimin e akseve. Përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë”, apelon ARRSH.

Ky nuk është rasti i vetëm pasi infrastruktura në disa fshatra të vendit lë shumë për të dëshiruar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!