Shemben disa banesa në Shkozë, tensione mes banorëve dhe policisë

schedule16:15 - 16 Tetor, 2019

schedule 16:15 - 16 Tetor, 2019

Fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit rinisën sot shembjen e disa banesave të tjera në zonën e Shkozës, të cilat preken nga gjurma e projektit të Unazës së Madhe. Banorët kanë bërë rezistencë edhe përballë policisë që shkoi në mbështetje të aksionit. Ata kërkojnë të dëmshpërblehen për shtëpitë e tyre para se ato të shemben.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës banorët e Shkozës, shtëpitë e të cilëve preken nga ndryshimi i lumit të Lanës, u zgjuan nga zhurmat e fadromës së Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Familjarët nuk janë kundër projektit, por kërkojnë që më parë të dëmshpërblehen ose të sistemohen diku tjetër me banesa sociale. Për disa çaste, situata u tensionua, qëndresa e kësaj familjeje bëri që INUK të shtyjë edhe për 24 orë prishjen e kësaj banese.

Luan Hoxha tregon se prishja po bëhet në mënyrë selektive nga Inspektoriati Ndërtimor. E vetmja shtëpi që u shemb ishte ajo e familjes Sinani.  Në mbështetje të banorëve të Shkozës ishte edhe ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi.

Të enjten pritet të vijojë edhe shembja e 3 banesave të tjera në zonën e Shkozës. Në total janë 15 shtëpi që duhen të shemben nga ndryshimi i lumit të Lanës që është pjesë e Unazës së Madhe./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!