Nëpër duart e tij kanë kaluar miliona letra. Ka qenë lajmësi i sihariqeve të bukura, lajmeve të trishta apo kobeve që kurrë nuk kanë munguar edhe në këto anë… Në kokë ka si të skanuar çdo metër, çdo adresë e hyrje të zonës së tij. Plot 67 vite të jetës së tij Sheko Temo Haxhaj ka shërbyer me ndershmëri e përkushtim si postier. Sot ai është 83 vjeç dhe në sytë e zërin e tij vërehet ende entuziazmi kur rikujton vitet e gjata në profesionin që ai aq shumë adhuron.
Sheko është postieri legjendar i Koplikut në Malësinë e Madhe. “Kam qenë 15 vjeç kur e kam nisur. Ikja në orën 8 e kthehesha në nga ora 4 pasdite. Mund të bëja diku te 20-30km në ditë në këmbë. Kurrë një jetë nuk kam humbur ndonjë letër gjatë shërbimit. Gjatë festave mund të shpërndaja diku te 10-15 thasë me kartolina”, thotë Sheko.
Sot ai shijon përqafimet e nipërve që I mbushin shtëpinë e zemrën plot, por nga profesioni vonë ka hequr dorë. Edhe pse ka dalë në pension që në moshën 65- vjeçare, Sheko ka punuar për gati 15 vite në mënyrë vullnetare, pasi kjo punë atë e ka mbajtur gjallë e në formë. Vetëm 3 vitet e fundit Sheko është tërhequr, pasi edhe mosha nuk e lejon të ecë për shumë gjatë.
‘Kam nostalgji shumë, por tani edhe mosha bën të vetën. Nuk kam fuqi tani të dal të eci nëpër fshatra.”, shprehet Sheko.
Në qytet të gjithë e përshëndesin dhe respektojnë teksa emrin e tij e kanë sugjeruar edhe për të marrë titullin “Qytetar nderi’, titull që në fakt banorët e Koplikut ja kanë dhënë prej dekadash me zemër…
Romina Braho/Abc