Shtrëngojnë duart e njërit-tjetrit se ato të kundërshtarit të përbashkët politik i janë larguar më shumë me afrimin e 30 Qershorit.
Për afro 1 orë e 30 minuta, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha diskutoi me kryetarët e Partive Aleate aksion opozitar në këto pak ditë që kanë mbetur nga zgjedhjet vendore.
Me hir apo me pahir votime në 30 Qershor nuk do të ketë. Mesazhin kryeministrit Edi Rama ia transmeton në emër të opozitës së bashkuar Dashamir Shehi.
“Ne do shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë juntën e re politike, quheni si të doni. Ne këto zgjedhje nuk do i njohim. Në 30 Qershor nuk do ketë votime, kemi shumicën e shqiptarëve me vete. Jemi të qetë që po bëjmë gjënë më të mirë për Shqipërinë që po kalon një fazë të paprecedentë”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim kombëtar nuk është i surprizuar nga vendimi i kolegjit zgjedhor që u vu në radhë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kundër dekretit të presidentit për anulimin e 30 qershorit.
“Kolegji Zgjedhor mori sot një vendim me një pati fantazmë. Kolegji në vetvete është një lloj fantazme, nuk ka më asnjë vlerë juridike dhe politike. Kolegjit i ka ra rasti me marr ca vendime të vështira, për veten e vet jo për ne, se ne nuk i njohim ato vendime”, tha ai.
Protesta është kryefjala e opozitës, paqësore apo e dhunshme merr një përgjigje të thjeshtë nga Dashamir Shehi.
“Rrezikshmëria e këtij presioni dhe këtij grupi është kaq e madhe saqë justifikon çdo lloj formë rezistence”, tha ai.
Opozita ka nisur përgatitjet edhe për të refuzuar publikimin e listave të zgjedhësve dhe hapjen e qendrave të votimit në bashkitë që drejtohen prej tyre./ABC News Albania 24/7