Shehi: Tentojmë titullin! Kupa shpëtimi i sezonit? Nuk e them dot

schedule11:15 - 1 Korrik, 2020

schedule 11:15 - 1 Korrik, 2020

Kukësi përballet nesër me Teutën në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Takimi luhet në Elbasan, prej orës 20:45. Trajneri Orges Shehi, sikurse ndodh zakonisht, ka folur para ndeshjes: “Është ndeshje e rëndësishme, është gjysmëfinale. Luajnë dy ekipe që janë në pjesën e sipërme të klasifikimit, me ambicie.

Luajmë ndaj një kundërshtari që po paraqitet mirë kohët e fundit. Pra është një ndeshje e rëndësishme dhe e kemi përgatitur mirë, në mënyrën e duhur, duke marrë parasysh që nuk mbaron asgjë nesër dhe ka edhe ndeshje kthimi”, thotë fillimisht Shehi, i cili pyetet më pas nëse është më mirë të shënojnë apo të mos pësojnë në ndeshjen e parë.

“Nesër është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm, të jemi në ekuilibër, pasi ka edhe një ndeshje tjetër, siç thashë edhe më parë. Kemi vështirësi, pasi luajmë çdo tre ditë. Skuadra ka ngarkesë, është i njëjti grup lojtarësh, me 2-3 ndryshime. Këto ditë jemi munduar ta riaftësojmë dhe freskojmë skuadrën, që të jemi gati për ndeshjen e Kupës”.

A është Kupa shpëtimi i sezonit? Shehi shprehet kështu: “Jam trajner dhe duhet ta përgatis skuadrën për të fituar çdo ndeshje. Nuk jam zyrtar klubi të them nëse është apo jo Kupa shpëtimi i sezonit. Tekniku flet për ndeshjen në anën teknike. Është një trofe i rëndësishëm për ne, sikurse edhe kampionati. Do luftojmë deri në fund,kur të mos kemi mundësi matematike. Në kupë janë dy takime që të çojnë në finale dhe i vlerësojmë maksimalisht”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!