Shehi: Seferi më efikas në krah, Tirana e kaloi ngërçin dhe kjo ka rëndësi

schedule19:37 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 19:37 - 7 Dhjetor, 2021

Orges Shehi, pas fitores së Tiranës me Kastriotin, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh: “Është pozitive kur shënojnë sulmuesit, pasi ata e duan golin. Jam i kënaqur për Taulantin dhe Ngoo që shënoi sërish pas javës së kaluar. Çdo trepikësh është i rëndësishëm, ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Nuk e pamë Kastriotin si të fundit të tabelës, por e vlerësuam shumë”.

“Për objektivat që kemi është shumë e rëndësishme vazhdimësia. Çdo skuadër kalon një ngërç, por nuk duhej të zgjaste shumë ky ngërç. Por, këto fitore na kthejnë në rrugën e duhur. E rëndësishme është që të tilla momente t’i kalosh sa më shpejt”.

“Sigurisht që dihen vlerat e Limaj dhe Totre dhe ne bazohemi te ata. Ndeshjet janë afër dhe do të provojmë t’i rikuperojmë, por manovra duhet të funksionojë dhe të mos prishen balancat. Do të shohim në vazhdim si mund t’i çlodhim, por nuk mund t’i lejmë jashtë sepse na duhen pikët dhe nuk duhet të humbim ekuilibrin”.

“Ne kemi ndryshuar në vazhdimësi të kundërshtarëve, e nisëm me 4-2-3-1 dhe kaluam në 4-3-3. Seferi është më efikas në krah, duke u futur më pas në qendër, aty është më i rrezikshëm. Është edhe Totre që luan afër Ngoo.

Nuk duam ta vendosim fillimisht aty Seferin, por le të vijë në befasi. Ka pas ndeshje që ka luajtur edhe në qendër, ai i bën të dyja rolet, por edhe mbrapa sulmuesit. Por, në këtë organikë që kemi funksionon më mirë kështu”. / abcnews.al