Trajneri i ri i Kukësit, Orges Shehi, do të drejtojë ndeshjen e parë në krye të verilindorëve në takimin kundër Vllaznisë, që luhet nesër në Elbasan Arena. Para kësaj sfide, Shehi doli në konferencë për shtyp, aty ku preku disa tema.
VLLAZNIA – “Në këtë fazë të kampionatit është tepër e vështirë, aq më tepër që luajmë ndaj Vllaznisë. Është një skuadër shumë e rrezikshme sidomos jashtë fushe. Ka vlerësimin tonë maksimal, do të bëjmë të pamundurën që të marrim fitoren. Koha është e shkurtër për tu përgatitur, por synojmë fitoren”.
KAMPIONATI – “Ky është kampionati, kam besim të plotë tek ekipi, i kam parë dje. Është një situatë e tillë, që mezi presim të reagojmë. Kemi mungesa me peshë, plot tre lojtarë, bashkë me Abazajn, i cili është në pikëpyetje, mund të bëhen katër. Kjo na vë në vështirësi, por nuk qajmë mungesat, por do të futemi për fitore.
RIVALI – “Çfarëdo situatë të vijë kundërshtari, siç kemi ne objektiva kanë edhe ata. Pas rezultateve negative, do të kërkojnë të marrin fitoren, ndaj nesh do të japin maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
KRAHASIMI – “Kukësi deri në momentet e fundit i ka fituar ndeshjet, po ta shikojmë gjithë ndeshjen nuk e ka dominuar asnjë skuadër. Kjo i ndodh çdo ekipi dhe besoj se kësaj i ka ardhur fundi. Nuk është momenti të krahasohem me ish-trajnerin Duro. Do të fokusohem më shumë te ana psikologjike, për ti treguar skuadrës që ka elementë cilësorë.
TITULLI – “Kukësi është ndërtuar për të fituar. Nuk është detyrim vetëm i imi, por i gjithë skuadrës, për të bërë më të mirën dhe për të mbërritur te titulli”, përfundoi Orges Shehi.