Kukësi fitoi 1-2 në kryeqytet përballë Tiranës dhe rihapi garën për titull. Bardheblutë kryesojnë me gjashtë pikë më shumë, por javën e ardhshme do të luajnë derbin me Partizanin.
Orges Shehi vlerëson paraqitjen e ekipit të tij në deklaratën e dhënë për Supersport dhe shpreson të marrë një dhuratë nga “Demat e Kuq”, aty ku ka luajtur katër vite si portier.
TAKTIKA – “Ndryshuam modul, sepse rezultati është primar në këtë fazë që është kampionati. Në ndeshjet e tjera jemi munduar të mos rrezikojmë në mbrojtje. Sot iu rikthyem modelit që luanim në fillim. Zëvendësimet janë në bazë të kundërshtarit. Është një fitore që na ngroh, komplimente çunave për atë që dhanë në fushë”.
MESI I FUSHËS – “Ne me tre lojtarë kemi luajtur gjithmonë. Jam partizan i asaj që duhet të kemi topin në zotërim. Lojtarët në marrëdhëniet me topin janë shumë të mirë. Limajn e vendosa para mbrojtjes dhe Musollin e s’postova më para. Mendoi që na funksionoi kjo lëvizje”.
TRIUMFI – “Në këndvështrimin tim, kjo ishte një fitore prestigji. Iu kam thënë çunave që: jeni lojtarët më të mirë në Shqipëri dhe duhet ta tregoni këtë. Pavarësisht pikëve, ne duhet të vazhdojmë dhe të mbajmë këtë entuziazëm”.
DERBI – “Shumë vite të karrierës time i kam kaluar te Partizani, plot katër vite. Partizani nuk ka nevojë për motivim. Më mirë të fitosh derbin sesa të fitosh kampionatin. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja jonë. Edhe këpucët i kam pasur të kuqe sot, ndoshta është një motivim. Kampionati nuk është në dorën tonë. Duhet të bëjmë më të mirën tonë, të vazhdojmë rrugëtimin”.
E ARDHMJA – “Në Shqipëri ka gjëra të çuditshme. Nuk ka merkato për trajnerët kur je në punë. Jam trajner i Kukësit, një prej ekipeve më të mira në Shqipëri. Punoj me dëshirën sikur do rri gjithë jetën te Kukësi. Unë trajneri i Shqipërisë U-21? Është vlerësim për sa i përket ekipit Kombëtar. Është kënaqësi e madhe, por është në kuadrin e fjalëve, nuk kam asnjë dijeni”. /abcnews.al