Shehi: Do e kemi më të vështirë se Tirana, të bëhen pesë zëvëndësime

schedule18:34 - 17 Prill, 2020

schedule 18:34 - 17 Prill, 2020

Trajneri i Kukësit, Orges Shehi në një lidhje direkte me emisionin Studio SprintABC News, foli për situatën aktuale, renditjen në Superiore dhe rifillimin e futbollit. “Siç dihet dhe siç janë njoftuar, duke pasur parasysh situatën, mundohemi të mbajmë skuadrën në formë, duke realizuar stërvitje në grupe. Sa i përket rivalitetit me Tiranën, ne nuk mendojmë se kampionati duhet të mbyllet, verdikti të merret në fushë”, ishin fjalët e para të trajnerit durrsak, i cili nis e prej edhe tema të tjera.

RINISJA – “Duke pasur parasysh se janë dhe 10 javë, ne do të vazhdojmë të synojmë për objektivin tonë. Patjetër që mund të ketë ndikim, është situatë e pajetuar më përpara. Dihet se kur mbaron kampionati, lojtarët marrin pushimet, dhe e dinë kur do të rifillojnë. Por, ne nuk e dimë se kur do të rifillojmë, as kushtet nuk i kemi normalisht. Do të jetë e vështirë, por e rëndësishme është të rifillojmë sa më shpejt futbollin”.

STËRVITJA – “Ditët e para, pa u bërë kjo mbyllje e plotë, lojtarët sa kishin mundësi, e bënin stërvitjen e tyre, duke vrapuar. Megjithatë, stërvitja mungon, pasi me skuadrën është totalisht ndryshe. Gjithsesi, më mirë kaq sesa të fillojmë nga zero. Kalendari? Patjetër që do të jetë e vështirë me ngjeshjen e ndeshjeve. Më të vështirë do e kemi ne, jo Tirana. Më i favorizuar, do të jetë ekipi që ka kontingjentin më të plotë”.

 

Orges Shehi

DËSHIRA – “Duke pasur një ngjeshje kalendari, pësohen dhe dëmtime. Shpresoj që skuadra të mos dëmtohet. Gjithsesi, të gjithë do të nisim në kushte të barabarta. Unë besoj se numri i kartonëve dhe procedurat, nuk mund të ndryshojnë. Mund të ndryshojnë zëvendësimet, të bëhen 5. Por gjithsesi, kjo i përket Federatës për të vendosur, ne do të përshtatemi që të marrim maksimumin nga lojtarët. Në këtë periudhë ku jemi, gjithçka mund të ndodhë”.

PAGAT“Këtë situatë ku jemi, që ka vështirësi e gjithë bota, kanë vështirësi dhe klubet shqiptare. Sa i përket reduktimit, nuk mund të flas për lojtarët, pasi kam pasur vetëm komunikim për stërvitje. Nëse reduktohen pagat, e pranoj pa asnjë lloj diskutimi, jemi në kushte emergjente”.

TITULLI – “Ne shpresojmë të kthehemi sa më shpejt në fushë. Kurrsesi nuk mund të dorëzohemi, janë dhe 10 javë. Kemi pasur shumë dëmtime, por me rikthimin e lojtarëve, do të sulmojmë fort për objektivin madhor”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!