Treni blu do të ecë drejt 2025-ës, me më pak vagonë se ato që pati në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
“Jo Noka, por dhe Berisha të më thërras nuk shkoj”, është shprehur Dashamir Shehi.
Dashamir Shehi ka prishur aleancën me PD-në dhe nuk pranon asnjë negociatë me Berishën për koalicion, i vështirësuar edhe nga formula e re e PS-PD, për listat.
“Na ndajnë disa parime”, ka thënë më tej ai.
Kreu i LZHK-së hedh mundësinë drejt partive të tjera që aktualisht janë në Parlament por dhe ato që janë të papozicionuara me PD. Por me një kusht për to.
Nga lista Shehi nuk ka përjashtuar as Lulzim Bashën, që të vetmen gjë të sigurt, se nuk do të jetë jashtë garës.
Ndryshe nga ai, Fatmir Mediu i republikanëve, ka vendosur të qëndrojë krah demokratëve të Berishës, si e vetmja mënyrë që favorizon opozitën në elektorate, sipas tij. Mbi modalitet dhe pozicionin e secilit aleat, Mediu thekson se është përgjegjësi e PD-së, që negocioi dhe votoi ndryshimet në Kodin Elektoral, që i vështirësojnë koalicionet.
“Ata që janë dakord për miratimin e këtij kodi, të kenë dhe vizionin qe si duhet te funksionojë koalicioni, përndryshe do të përfundojnë pastaj në interesa të vogla kush do të zërë vendin në parlament”, ka thënë ai.
Por sërish mendon që ka një formulë, që mund të kënaq partitë brenda koalicionit.
“Çdo force politike, duhet ta shoh këtë liste të përbashkët si një pjesë të një kontributi për të prurë vota, për të shtuar numrin e deputetëve të opozitës. Çdo zonë e qark ku pr ka votat e saj, që krijohen një vlerë të shtuar për mandatet e opozitës, por dhe konkurruese për të fituar atë që është mandat i tepërt”, tha më tej ai.
Primaret e demokratëve, nuk janë shqetësim aspak për aleatët. I pari mes të gjithëve që hapi negociatat me PD-së për koalicionin e mundshëm ishte Ilir Meta, që i shkoi të hënën në zyrë Flamur Nokës, ndërsa me krerët e partive të tjera të vogla, numri 2 i selisë blu, pritet të takohet javën e ardhshme.
/abcnews.al/