Nuk ishin në palë në zgjedhjet e 30 Qershorit, por vazhdojnë të jenë në vëmendjen e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Një ditë pas protestës së 10 kombëtare shefja e këtij misioni Audrey Glover është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Burime nga selia blu bëjnë të ditur se temë kryesore e këtij takimi kanë qenë denoncimet e opozitës. Kryedemokrati ka nënvizuar se procesi është manipuluar që nga mbushja e kutive deri tek vjedhja e votave.
Videot e publikuara nga Partia Demokratike kanë qenë në fokus të bisedës së shefes së misionit të OSBE/ODIHR me kreun e opozitës.
Dhjetëra raste në Tiranë e mbarë vendin,por dhe manipulimi i pjesëmarrjes në Elbasan me dy rezultate false që prodhohen nga zyra e Partisë Socialiste sipas kryedemokratit provojnë se për sa kohë Kryeministri Rama është në atë detyrë, në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.
Të gjitha janë mbajtur shënim nga kryesuesja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it e cila fjalën e saj të fundit do ta thotë pas afro dy muajsh./ABC News Albania 24/7