Shefi i UNMIK në Beograd apel për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi

schedule13:47 - 7 Tetor, 2021

schedule 13:47 - 7 Tetor, 2021

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, vuri në dukje domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe rëndësinë e të gjitha përpjekjeve për bashkëpunim rajonal, tha presidenca serbe të enjten pasi shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Zyra për media e presidencës serbe deklaroi se gjatë takimit u diskutua situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë, dhe se Tanin ka deklaruar se mandati i UNMIK-ut në Kosovë dhe forcave të huaja, nën udhëheqjen e NATO -s (KFOR) është i qartë.

“Shtrirja dhe roli i këtyre misioneve janë përcaktuar saktësisht dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe ai aktual, Antonio Guterres, janë angazhuar fort që nga fillimi për të zbatuar misionet e caktuara në përputhje me të gjitha vendimet e OKB-së”, tha Tanin, sipas presidencës serbe.

Në deklaratë thuhet se presidenti Vuçiq e ka lutur Taninin që të paralajmërojë Prishtinën se me “masat e saj të njëashme dhe provokuese e rrit tensionin dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon”.

“Prania e Kombeve të Bashkuara, do të thotë UNMIK -ut, si dhe e misioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi, është mëse e nevojshme si garanci e sigurisë së popullit serb. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB -së është dhe duhet të jetë korniza ligjore për praninë e sigurisë ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi “, tha Vuçiq sipas presidencës serbe.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por situata varet edhe nga ana e Prishtinës, e cila, siç është deklaruar ai, duhet të përmbahet nga lëvizjet e vazhdueshme të njëanshme që përkeqësojnë ndjeshëm situatën në Kosovë.

Kriza e fundit në marrëdhëniet midis Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare ndodhi muajin e kaluar pasi Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e masave reciproke më 20 shtator për targat e veturave të regjistruara në Serbi.

Pas 10 ditësh, më 30 shtator, përfaqësuesit e të dyja palëve, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për shtensionimin e situatës, sipas së cilës njësitet speciale të Policisë së Kosovës u tërhoqën nga dy pika kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak më 2 tetor dhe në atë zonë u vendosën njësitet e KFOR-it.

Serbët lokalë po ashtu kanë larguar barrikadat në shenjë proteste ndaj masës reciproke për targat./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!