Shefi i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje aleatëve që të intensifikojnë përpjekjet për të forcuar mbrojtjen me qëllim që të parandalohet një luftë e nisur nga Rusia, që mund të jetë “në shkallën e një lufte që gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë e kanë përjetuar”.
Gjatë një fjalimi në Berlin, Rutte tha se shumë aleatë të aleancës ushtarake perëndimore nuk e ndiejnë urgjencën e kërcënimit të Rusisë në Evropë dhe se ata duhet të rrisin me shpejtësi shpenzimet dhe prodhimin për mbrojtje për të parandaluar një luftë në shkallën që e kanë përjetuar brezat e mëparshëm.
“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë. Shumë nuk e ndiejnë urgjencën. Dhe, shumë besojnë se koha është në favorin tonë. Nuk është. Koha tani është për veprim”, tha Rutte.
“Konflikti është në derën tonë. Rusia e ka kthyer luftën në Evropë. Ne duhet të jemi të përgatitur”, shtoi ai. Sipas Ruttes, Rusia mund të jetë e gatshme të përdorë forcë ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh.
Për pothuajse katër vjet, Rusia po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./rel

