Shefi i CIA-s takim me Kurtin/ Diplomati: Burns vizitoi shtete që kanë probleme me SHBA dhe takoi njerëz të rrezikuar për në ‘listat e zeza’

schedule16:31 - 23 Gusht, 2024

schedule 16:31 - 23 Gusht, 2024

Vizita e shefit të CIA-s, William Burns në trekëndëshin Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, u mbyll të premten, me mesazhe të qarta dhe të prera, të lëna  në të tre kryeqytetet, që lidhen me dy pika të nxehta, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës, të dyja me shumicë serbe dhe burime tensionesh të herëpashershme.

Albin Kurti u nis mbrëmë nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Kosovë pavarësisht se konventa e demokratëve mbyllet këtë të premte. Që në orën 9 të mëngjesit, Burns ishte në ndërtesën e qeverisë së Kosovës dhe bisedoi me Kurtin për rreth 50 minuta, në praninë edhe të kreut të inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.

Lidhur me këtë është diskutuar në “Ballkan Update”, ku diplomati Blerim Canaj nga Prishtina ka thënë se Burns vizitoi tre shtete që kanë probleme me Amerikën dhe padyshim Kosova nuk mund të bënte përjashtim.

Ai ka theksuar se Burns ka takuar njerëz që janë nën sanksione nga SHBA, por mund të ketë takuar dhe njerëz që kanë rrezik që të futen në listat e zeza.

“Unë mendoj se ishte një domosdoshmëri që Kurti të vinte. Burns vizitoi tre shtete dhe takoi liderët që kanë probleme me Amerikën, largo këtu presidenten Osmani, e cila duke qenë në pozicionin ku është shihet si partner i SHBA. Prandaj, ata duhet të kenë një partner nga udhëheqësit shtetëror. Mendoni mos ta konsideronin dhe Vjosa Osmanin si partner, do të ishim në një situatë tragjike. Takoi persona politikë, të cilët kemi parë që kanë përdorur një farë retorike më pak ekstremiste, për shembull, kemi Albin Kurti, për të cilin vetë Hovenier ka deklaruar se ka probleme me të.

Më çuditi dhe fakti që kurti thotë e informova Burns për zhvillimin ekonomik të Kosovës, dhe të krijohet përshtypja sikur Burns ka ardhur në Kosovë dhe ka pyetur si është kopshtaria këtu, ose si është moti. Por në fakt mendoj që këtu janë tema më të rënda. Duhet të kemi parasysh që Burns ka takuar njerëz që janë nën sanksione nga SHBA, por mund të ketë takuar dhe njerëz që kanë rrezik që të futen në listat e zeza. Ne të gjithë e dimë që siguria dhe paqja në Ballkan, nuk është vetëm interes i Ballkanit, por dhe i SHBA. Tani mund të konsiderohet dhe si interes nacional dhe shtetëror i tyre dhe dihet se ku mund të çojë prekja në këto pika të ndjeshme”, u shpreh Canaj./abcnews.al