Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ka zhvilluar bisedimet e para tregtare me Kinën. Mediat e huaja bëjnë me dije se gjatë këtyre bisedimeve është theksuar rëndësia e marrëdhënies tregtare midis dy vendeve.
Takimi është zhvilluar online mes përfaqësueses së Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai, dhe zëvendëskryeministrit kinez, Liu Ai. Zyra e zonjës Tai tha se ajo “prezantoi parimet e politikës tregtare të administratës Biden-Harris dhe angazhimet në rishikimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë, duke ngritur në bisedime gjithashtu çështje shqetësuese”.
Ministria kineze e Tregtisë tha përmes një deklarate se gjatë bisedimeve kishte “shkëmbime të sinqerta dhe konstruktive”.
Ndërkohë kujtojmë se administrata e ish-presidentit, Donald Trump ishte përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, duke vendosur tarifa për disa mallra kineze. Në janar të vitit të kaluar dy ekonomitë më të mëdha në botë nënshkruan një marrëveshje të ashtuquajtur “Faza 1”.
Përmes asaj marrëveshjeje, Pekini premtoi se do të rrisë blerjet produkteve dhe shërbimeve amerikane me të paktën 200 miliardë dollarë gjatë vitit 2020 dhe 2021.
Tai ka thënë se ajo tani po shikon nëse kushtet e marrëveshjes janë përmbushur nga Pekini.
Deri më tani, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk ka lëvizur nga pozicioni i paraardhësit të tij, Trump, në raport me Kinën. Të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë negociatat e tyre./abcnews.al