SHBA, vijon “hemoragjia” në administratën Trump

schedule20:39 - 10 Prill, 2018

schedule 20:39 - 10 Prill, 2018

Në radhët e administratës së Presidentit Trump vijon ajo që mund të quhet hemoragjia e këshilltarëve. I fundit, në rend kronologjik ka qenë ai për sigurinë e brendshme, Tom Bossert.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka humbur një tjetër bashkëpunëtor të afërt në Shtëpinë e Bardhë. Bëhet fjalë për Tom Bossert, këshilltar për sigurinë e brendshme, që të martën ka njoftuar dorëheqjen. Lajmin e bën të ditur CNN, që nënvizon se shkaqet e tërheqjes së Bossert janë ende të paqarta.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka konfirmuar largimin dhe ka falenderuar Bossert për punën e bërë. Bëhet fjalë për dorëheqjen më të fundit në rend kronologjik të këshilltarëve të Trump, pas largimit pak kohë më parë të McMaster, i cili u zëvendësua nga John Bolton në postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare në Krahun Perëndimor.

Që nga marrja e detyrës fillimvitin e kaluar, Trump ka humbur të paktën 21 këshilltarë, një pjesë e të cilëve po monitoroheshin nga hetuesi i posaçëm i skandalit “Russiagate”, Robert Mueller. Pa harruar këtu shkarkimin e muajit të kaluar të sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, me të cilin kreu i shtetit ka patur jo pak përplasje. Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson falenderoi të gjithë për bashkëpunimin, me përjashtim të Presidentit Trump, që siç tha, ia komunikoi shkarkimin me telefon nga “Air Force One”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!