Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të sulmit ndaj trupave amerikane në Irak këtë javë, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
“Ne po shpallim sanksionet shtesë kundër regjimit iranian”, tha Mnuchin në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë së bashku me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.
Sanksionet e reja përfshijnë tetë zyrtarë të lartë iranianë, industrinë e çelikut dhe metaleve të tjera të vendit.
“Me vendimin e sotëm, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shënjestron burime të të ardhurave, të cilat regjimi iranian i përdorë për të financuar programin bërthamor, zhvillimin e raketave, terrorizmit dhe ndikimin malinj në rajon”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit.
Ndërkohë, kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, i kërkoi Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, përgatitjen e një mekanizmi për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi, tha zyra e kryeministrit Mahdi, raporton Uashington Post. Mahdi e bëri kërkesën gjatë një bisede telefonike me sekretarin Pompeo.
Kjo kërkesë, pason një vendim të parlamentit irakian, i cili votoi pro dëbimit të trupave amerikane nga Iraku. Parlamenti e ndërmori këtë veprim, pas vrasjes së komandantit iranian Qasem Soleimani, gjatë javës së kaluar në Irak, nga ana e Shteteve të Bashkuara.
Në shenjë hakmarrje, Irani sulmoi dy baza ushtarake në Irak të cilat strehonin trupat e SHBA-së.
Në Irak gjenden 5 mijë trupa amerikane. Kryeministri irakian i ka kërkuar sekretarit Pompeo që të dërgojë përfaqësuesit amerikanë për të përgatitur planet, për një tërheqje të sigurtë të trupave amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e kanë në plan tërheqjen e forcave nga Iraku.
“Delegacioni të cilin Shtetet e Bashkuara do të dërgonin në Irak, nuk do të diskutonte tërheqjen e trupave amerikane nga vendi”, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
“Sidoqoftë, duhet të ketë një bisedë midis SHBA-së dhe Irakut jo vetëm në lidhje me sigurinë, por për partneritetin tonë financiar, ekonomik dhe diplomatik“, tha zëdhënësja Morgan Ortagus, përmes një deklarate./abcnews.al