SHBA, Trump “tradhton” fermerët

schedule22:24 - 14 Janar, 2019

schedule 22:24 - 14 Janar, 2019

Fermerët amerikanë kanë mbetur të zhgënjyer nga presidenti Trump, nga i cili prisnin një fjalim mbi luftën tregtare me Kinën, që i ka zhytur ata në vështirësi. Elektorati më besnik i presidentit amerikan është dëmtuar rëndë edhe nga bllokada federale, që pengon lëvrimin e fondeve për ta.

Disa mijëra fermerë amerikanë kanë pritur të dëgjojnë presidentin Trump të fliste të hënën në Luiziana, me shpresë për një risi mbi luftën tregtare me Kinën, që i ka lënë ata në vështirësi. Ata u mblodhën në Nju Orlins, në konventën vjetore të Federatës së Fermerëve. Fillimisht fjalimi i Trump u shty për një afat të pacaktuar. Por edhe kur mori fjalën pak më vonë, kreu i shtetit nuk dha asnjë sqarim mbi përplasjen tregtare me gjigantin aziatik.

Ai vetëm premtoi një seri zhvillimesh pozitive si pasojë e reformave të administratës së tij për agrikulturën. “Po bëjmë reforma që do të kenë një impakt të madh. Ju do të bëni biznes me Kanadanë dhe vende të tjera ku më parë ka qenë shumë e vështirë të bësh biznes.

Do të keni aq shumë punë sa nuk do ta besoni”, tha Trump. Fermerët amerikanë, që janë rreth 3.2 milionë, kanë mbetur mbështetës besnikë të Trump pavarësisht vështirësive financiare që po hasin që kur Pekini vendosi tarifa mbi farat amerikane të sojës, si reagim ndaj atyre të vendosura ndaj mallrave kineze nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Në vitin 2017 Kina bleu 12 miliardë dollarë fara soje nga Amerika, por një vit më vonë blerja devijoi drejt Brazilit për shkak të konfliktit tregtar. Në 2018-n, Trump autorizoi rreth 11 miliardë dollarë në formë ndihme për fermerët, të cilën e propagandoi si një premtim të mbajtur ndaj elektoratit besnik.

Por javën e kaluar administrata shtyu lëvrimin e paketës dhe bashkë me të afatin për shqyrtimin e kërkesave për hua si pasojë e bllokadës qeveritare që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, për shkak të financimit të murit me Meksikën./abcnews.al