SHBA, Trump sulmon sërish gjigantin e automjeteve: “GM” të braktisë Kinën

schedule20:30 - 30 Gusht, 2019

schedule 20:30 - 30 Gusht, 2019

Presidenti Donald Trump ka rindezur debatin me prodhuesit e automjeteve. Në kuadër të luftës tregtare me Kinën, Trump i ka kërkuar gjigantit “Xheneral Motors” që të braktisë vendin aziatik dhe të rikthejë fabrikat e prodhimit në Amerikë.

Presidenti amerikan Donald Trump, i përfshirë në luftën tregtare me Kinën, ka deklaruar të premten se gjigandi amerikan i automjeteve “Xheneral Motors” duhet t’i kthejë fabrikat e saj të prodhimit në Shtetet e Bashkuara. ““Xheneral Motors”, që dikur ishte gjiganti i Detroitit, tani është një nga fabrikat më të vogla që ndodhen atje. Ata i lëvizën impiantet e tyre në Kinë përpara se unë të vija në pushtet, pavarësisht ndihmave që i janë dhënë nga shteti amerikan. Tani, a nuk duhet që ata të kthehen sërish në Shtetet e Bashkuara?”, ka deklaruar Trump në profilin e tij në Tëitter. Kompania e automjeteve nuk i është përgjigjur deklaratës së Trump, por presidenti e ka kritikuar edhe më parë atë, për prodhimin e automjeteve në Meksikë dhe mbylljen e impianteve të prodhimit në Miçigan, Ohajo dhe Merilend. Ndërkohë, Kina është tregu i automjeteve më i madh në botë dhe politikat e qeverisë favorizojnë kompanitë që montojnë automjetet atje dhe rrjedhimisht vendi aziatik nuk i importon ato nga përtej oqeanit. Duke iu përgjigjur tarifave të fundit të Trump, Kina deklaroi javën e kaluar se do të rivendosë 25 për qind tarifa mbi automjetet amerikane. “Xheneral Motors” shiti 3.6 milionë automjete në Kinë vitin e kaluar, kuotë kjo që përbën 43 për qind të shitjeve të saj në mbarë botën. Në qershor, Trump refuzoi kërkesën e kompanisë për të përjashtuar një nga modelet e saj të prodhuara në Kinë nga tarifa prej 25 për qind e vendosur për importin e makinave sportive. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!