SHBA, Trump heq kufirin për ndalimin e emigrantëve

schedule21:00 - 21 Gusht, 2019

schedule 21:00 - 21 Gusht, 2019

Me nismë të presidentit Trump, administrata amerikane ka hequr kufirin kohor për ndalimin e emigrantëve. Rrjedhimisht, refugjatë të rritur dhe të mitur që kalojnë ilegalisht kufirin, do të qëndrojnë pa afat në burg.

Familjet emigrante që kalojnë ilegalisht kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara mund të mbahen në burgim pafundësisht, në bazë të një rregulli të ri të njoftuar nga administrata Trump.

Rregulli në fjalë zëvendëson një marrëveshje që kishte vendosur një limit për kohën që qeveria mund të mbante fëmijët e emigrantëve në gjendje ndalimi. Lëvizja u njoftua nga sekretari në detyrë i Sigurisë së Brendshme, Kevin McAleenan dhe pritet të hyjë në fuqi pas 60 ditësh.

Megjithatë ka gjasa që ajo të hasë në sfida ligjore. Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë së Brendshme besojnë se limitet kohore të burgimit të familjeve të emigrantëve ka nxitur fluksin e refugjatëve nga vendet e Amerikës Qendrore gjatë këtij viti.

Ata argumentojnë se rregullorja e re do t’i japë fund konceptit se marrja me vete e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është një “pasaportë” për të qenë i lirë nga burgimi.

“Sot qeveria ka publikuar një rregull kritike që do t’i lejojë Departamentit të Sigurisë së Brendshme të mbajë familjet së bashku dhe të përmirësojë integritetin e sistemit të emigracionit”, e komentoi McAleenan rregulloren e re.

Sipas tij, ajo i lejon qeverisë federale të përforcojë ligjet për emigracionin dhe të sigurojë që të gjithë fëmijët që mbahen të ndaluar të trajtohen me dinjitet dhe respekt./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!