Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, në një intervistë për emisionin “Money Report” në ABC News, theksoi rëndësinë strategjike që mbajnë Shtetet e Bashkuara në ekonominë globale. Sipas saj, asnjë shtet nuk mund të përballojë të shkëputet nga SHBA, pasi ky vend përfaqëson tregun më të madh dhe më tërheqës në botë.
Nunaj shtoi se ndërsa vende të ndryshme kërkojnë alternativa tregtare, marrëdhëniet me SHBA dhe Bashkimin Europian nuk janë thjesht ekonomike, por përfshijnë edhe elementë politikë e strategjikë. Ajo gjithashtu vuri në dukje se Shqipëria nuk do të ndikohet drejtpërdrejt nga tarifat e vendosura nga presidenti Trump, por efektet indirekte përmes marrëdhënies SHBA-BE mbeten për t’u vëzhguar.
“Asnjë nga shtete nuk mund të heqë dorë nga SHBA sepse është tregu më i madh dhe që tërheq. Sepse nëse tërhiqesh i bie që të heqësh dorë nga miliona të ardhura dhe të mbyllës shumë vende pune. Ndërkohë shumë vende e tjera po shikojnë vende të tjera alternative. Marrëdhënia me BE dhe SHBA nuk është marrëveshje vetëm tregtare, po është me e veçantë. Kemi të bëjmë me një negociatë nga KE, me 27 vende.
Ndërkohë që në vendet e tjera secili shtet negocion më vete. Ky kompleksitet e vështirëson akoma më tepër. Aktualisht edhe Banka Qendrore Europiane ka qenë shumë e kujdesshme sa i përket inflancionit, prandaj dhe nuk ka marrë një hap më shumë për të ulur normën e interesit. Çdo vendimmarrje e SHBA-ve, ka një ndikim shumë të madh jo vetëm në tregun amerikan, por edhe në vendet e tjera. Ndryshime sjell edhe në bursa.
Pra janë vendimmarrje që kanë shumë ndikim, prandaj dhe institucionet tani po vëzhgojnë tregun. Volumi tregtar mes SHBA dhe Shqipërisë është shumë i pandjeshëm dhe vendi ynë nuk do të ndikohet nga tarifat e Donald Trump. Nuk do të ndikojë në tërësinë e ekonomisë. Më shumë do të ketë një ndikim indirekt, për shkak të marrëveshjet së SHBA-BE”, tha ekspertja e ekonomisë./abcnews.al

