SHBA thirrje qytetarëve: Shmangni udhëtimet në Liban

schedule15:29 - 27 Qershor, 2024

schedule 15:29 - 27 Qershor, 2024

Ambasada e SHBA-së në Bejrut ka këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimet në Liban në mes të tensioneve në rritje kufitare me Izraelin.

Ambasada tha se amerikanët nuk duhet të udhëtojnë në jug të Libanit, respektivisht në zonën kufitare me Sirinë dhe vendbanimet e refugjatëve mes frikës së një lufte të plotë midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah.

“Ne u kujtojmë qytetarëve amerikanë që të rishikojnë udhëtimet në Liban. Mjedisi i sigurisë mbetet kompleks dhe mund të ndryshojë shpejt”, tha ambasada amerikane.

Ambasada tha se qeveria libaneze nuk mund të garantojë mbrojtjen e qytetarëve amerikanë kundër shpërthimeve të papritura të dhunës dhe konfliktit të armatosur.

“Qytetarët amerikanë në Liban nuk duhet të udhëtojnë në jug të Libanit, në zonën kufitare Liban-Siri ose në vendbanimet e refugjatëve”, theksoi ambasada.

Dje, Gjermania dhe Holanda u kërkuan qytetarëve të tyre të largohen nga Libani mes frikës së luftës midis Hezbollahut dhe Izraelit. Më herët, Kanadaja, Maqedonia e Veriut dhe Kuvajti kanë bërë thirrje të ngjashme.

Tensionet përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin janë rritur mes sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite derisa Tel Avivi po vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 37.700 palestinezë që nga tetori i kaluar pas sulmit nga grupi palestinez Hamas.