SHBA thirrje për largim nga Ukraina, Konsulli i Shqipërisë për Abcnews.al: Kemi shqetësim, por jo panik

schedule16:36 - 27 Janar, 2022

schedule 16:36 - 27 Janar, 2022

Teksa tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë po arrijnë kulmin, ditën e sotme Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina për shkak të kërcënimit në rritje të një pushtimi të mundshëm nga Moska.

Në kuadër të kësaj lëvizje të fundit nga amerikanët, gazetari i Abcnews.al, Ervin Leka, u interesua pranë Konsullatës Shqiptare në Ukrainë, lidhur me situatën në të cilën ndodhen momentalisht shqiptarët që jetojnë në Ukrainë.

Lexo edhe: Konflikti me Rusinë, rrëfimi i shqiptarit nga Ukraina për Abcnews.al

Duke iu përgjigjur kërkesës së Abcnews.al, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Ukrainë, Shahin Omarov deklaroi se situata rreth përqendrimit të trupave në kufi është e shqetësuese. Zoti, Omarov nuk foli rreth një urdhri të ngjashëm me të amerikanëve për tu larguar, lidhur me shqiptarë që ndodhen në Ukrainë.

Ai theksoi se shqiptarët, që jetojnë tani në Ukrainë, janë shtetas ukrainas prej më shumë se 200 vitesh. Omarov ka thënë për Abcnews.al se shqiptarët që jetojnë në Ukrainë por edhe ukrainasit, nuk janë në panik, por megjithatë janë shumë të shqetësuar.

’Shpresojmë që konfrontimi i hapur ushtarak të mos fillojë.’’ Ka deklaruar Omarov, për Abcnews.al.

Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë punon si zakonisht. Reagimi i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Ukrainë, Shahin Omarov, për gazetarin Ervin Leka:

‘’Shpresoj te jesh duke ja kaluar mire. Më lejoni t’ju informoj për situatën. Shqiptarët, që jetojnë tani në Ukrainë, janë shtetas ukrainas prej më shumë se 200 vitesh. Situata rreth përqendrimit të trupave në kufi është e shqetësuese. Por të gjithë ukrainasit janë si një popull i një vendi, ata mund ta ndërtojnë vendin së bashku në paqe.

Nuk jemi në panik, por jemi shumë të shqetësuar. Të gjithë ne duam jetën civile me të gjithë fqinjët tanë. Shpresojmë që konfrontimi i hapur ushtarak të mos fillojë. Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë punon si zakonisht. Përshëndetjet më të mira, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Kharkiv. Dr Shahin Omarov.’’

/abcnews.al/