Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga traktati për kontrollin e raketave bërthamore me Rusinë. Mediat amerikane raportojnë se konfirmimi do të bëhet shumë shpejt nga Sekretari amerikan i Shtetit.
Sipas raportimeve të CNN, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo do të deklarojë shumë shpejt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në traktatin me Rusinë për kontrollin e raketave bërthamore me rreze mesatare, të quajtura ndryshe dhe euroraketat. Marrëveshja e firmosur në vitin 1987 nga Ronald Regan dhe Mikail Gorbaçov, konsiderohet si një arritje shumë e madhe, e cila i dha fund Luftës së Ftohtë.
Uashingtoni akuzoi Moskën se ka shkelur në mënyrë të përsëritur që nga viti 2014 këtë traktat, por Rusia e mohon këtë fakt. Pezullimi do t’i japë dritën jeshile periudhës prej 180 ditësh për tërheqjen e plotë nga Traktati, të paktën deri sa Moska të dëshmojë se po e respekton atë. Në rast të kundërt ka rrezik që të dyja vendet të nisin një garë të re armatimi./abcnews.al