SHBA, Sulm kibernetik sekret ndaj Iranit

schedule19:05 - 16 Tetor, 2019

schedule 19:05 - 16 Tetor, 2019

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm kibernetik sekret ndaj Iranit, pas sulmit që Teherani u bëri impianteve saudite të naftës. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, sulmi ka prekur infrastrukturën elektronike të Republikës Islamike, edhe pse jo në masë të madhe.

Shtetet e Bashkuara kryen një operacion kibernetik sekret kundër Iranit pas sulmeve të 14 shtatorit ndaj impianteve të naftës në Arabinë Saudite, për të cilat Washingtoni dhe Rijadi fajësojnë Teheranin. Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, e cila citon dy zyrtarë të administratës amerikane.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimati, deklaruan se operacioni u krye nga fundi i shtatorit dhe goditi projektet e Teheranit për të përhapur propagandën. Një nga burimet tha se sulmi preku edhe sistemet kompjuterike të Republikës Islamike, por nuk ofroi detaje të tjera.

Operacioni kibernetik, sipas “Reuters”, vë në dukje se si presidenti Donald Trump dhe administrata e tij janë përpjekur t’i bëjnë kontrast asaj që shihet si agresioni iranian, që megjithatë nuk ka degraduar në një konflikt kufitar.

I pyetur lidhur me lajmin e “Reuters” nga agjencia e lajmeve “Fars”, ministri iranian i Telekomunikacionit, Mohamad Xhavad Azari e mohoi një gjë të tillë; ndërsa Pentagoni refuzoi të bënte komente.

Sidoqoftë, sulmi i Shteteve të Bashkuara duket më i kufizuar se operacione të tjera të ngjashme kundër Republikës Islamike më herët gjatë vitit, konkretisht pas rrëzimit të dronit amerikan në qershor dhe një sulmi që i atribuohet Gardës Revolucionare ndaj disa çisternave të naftës në Gjirin Persik në muajin maj.

Amerika, Arabia Saudite, Britania, Franca dhe Gjermania kanë fajësuar publikisht iranin për sulmet e 14 shtatorit./abcnews.al