Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur tarifat e rritura për çelikun dhe aluminin e importuar nga vendet aleate. Duke reaguar ndaj këtij vendimi, BE, Kanadaja dhe Meksika kanë paralajmëruar se do të përgjigjen me masa reciproke për produktet amerikane.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos tërhiqen nga vendosja e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar nga vendet aleate. Kështu, Bashkimi Europian, Kanadaja dhe Meksika do të paguajnë taksa 25 për qind për çelikun dhe 10 për qind për aluminin. Lëvizja ka shkaktuar reagime. Meksika dhe BE-ja kanë deklaruar se do të përgjigjen me masa reciproke dhe i kanë cilësuar politikat e administratës amerikane “proteksionizëm të pastër”. Edhe Mbretëria e Bashkuar është shprehur thellësisht e zhgënjyer nga vendimi i Uashingtonit, që vjen pas javësh të tëra negociata. Komisionerja e BE-së për Tregtinë, Cecilia Malmstrom e ka cilësuar lëvizjen e Amerikës “një ditë të zezë për tregtinë botërore”. Ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker e ka quajtur “të papranueshme”. “BE-së nuk i mbetet tjetër veç se ta çojë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe të vendosë tarifa për produktet amerikane”, ka thënë Juncker. Më herët gjatë vitit Europa hartoi një listë me artikuj amerikanë, përfshirë konjakun, boronicën dhe xhinset si objektiva potencialë për taksim. Eksperti i financave Ben Digby ka deklaruar për BBC se vendosja e tarifave nga pala amerikane është shumë shqetësuese, por u ka bërë thirrje palëve që të tregohen të kujdesshme pasi kostot e një lufte tregtare do të jenë shumë të mëdha. “Nuk është momenti i duhur për të përshkallëzuar situatën. BE bën mirë të mendohet dy herë para se të nisë hakmarrjen e tij”, ka thënë Digby. /abcnews.al