SHBA rikthehet në Hënë pas 50 vitesh, misioni realizohet me sukses

schedule09:06 - 23 Shkurt, 2024

schedule 09:06 - 23 Shkurt, 2024

Një kompani amerikane ka bërë histori duke u bërë e para që vendos një anije kozmike në Hënë. “Intuitive Machines” me bazë në Houston zbarkoi “Odysseus” pranë polit jugor hënor.

U deshën disa minuta që kontrollorët të konstatonin se mjeti ishte ulur, por përfundimisht u mor një sinjal. Ishte një moment i rëndësishëm, jo vetëm për shfrytëzimin komercial të hapësirës, por për programin hapësinor të SHBA-së në përgjithësi.

“Intuitive Machines” ka thyer mungesën gjysmë shekullore të Shteteve të Bashkuara nga sipërfaqja e Hënës, që nga misioni i fundit i Apollo në vitin 1972.

Administratori i NASA-s, Bill Nelson, ka uruar “Intuitive Machines” për misionin që ai e përshkroi si “triumf”.

“SHBA-ja është kthyer në Hënë. Sot, për herë të parë në historinë e njerëzimit, një kompani komerciale, një kompani amerikane nisi dhe udhëhoqi udhëtimin atje lart.

Dhe sot është dita që tregon fuqinë e partneriteteve të NASA-s”.

Anija hapësinore iu afrua Hënës të mërkurën, gjashtë ditë pasi u nis me një raketë nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida. Anija arriti të futej në orbitën e Hënës për të filluar përgatitjet për uljen në sipërfaqe.

Kontrollorët monitoruan fluturimin në një distancë prej gati 400 mijë kilometrash, nga një qendër komandimi të kompanisë në Hjuston.

Anija e ndërtuar me fibra karboni dhe titaniumi, me një lartësi prej 4.3 metrash, mban në bord gjashtë paisje eksperimentale të NASA-s, e cila i pati paguar kompanisë 118 milionë dollarë për prodhimin dhe fluturimin e anijes, në kuadrin e përpjekjeve për të komercializuar udhëtimet drejt Hënës, ndërsa është planifikuar edhe rikthimi atje i astronautëve, pak vite më vonë.

Operacioni i kompanisë Intuitive Machines është përpjekja më e fundit në një seri përpjekjesh nga shtete dhe kompani private. Japonia arriti një ulje në Hënë muajin e kaluar, duke iu bashkuar kështu uljeve të suksesshme nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!