SHBA/ Rëndohet bilanci i viktimave për shkak të motit të keq

schedule18:40 - 10 Janar, 2018

schedule 18:40 - 10 Janar, 2018

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën në jug të Kalifornisë për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Bilanci mund të përkeqësohet pasi mbi 20 qytetarë rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në zonën e prekur.

Vazhdon sitata e rënduar në jugun e Kalifornisë për shkak të përmbytjeve dhe rrëshitjeve të dheut pas shirave të rrëmbyer. Mediat amerikane bëjnë me dije se 15 persona kanë humbur jetën. Të gjitha viktimat janë regjistruar në zonën e Santa Barbarës. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të lokalizuar dhe shpëtuar qindra banorë që janë prekur nga lumenjtë e baltës, që kanë shkatërruar shumë banesa në jugun e Kalifornisë.

Gjatë së mërkurës janë verifikuar 300 persona, që ishin bllokuar në zonën e Kanionit Romero në Montesito për shkak të rrëshqitjes së dheut. Ndërkohë, autoritetet theksojnë se bilanci i viktimave mund të përkeqësohet pasi mbi 20 persona janë shpallur të zhdukur.

Zyra e sherifit të zonës Santa Barbara bëri të ditur se gjatë orëve të fundit ka marrë mbi 600 telefonata nga qytetarë që kërkonin ndihmë. Gjithashtu, Bill Broun njoftoi se shumë persona janë shpëtuar në operacione të ndryshme. Ai nënvizoi se zona më e goditur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut është ajo e Santa Barbarës.

Gjithashtu, autoritetet bënë me dije se rrugët në disa pjesë të Montesitos dhe Santa Barbarës do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 48 orët e ardhshme pasi janë të mbuluara nga dheu. Shirat e dendur prekën jugun e Kalifornisë vetëm disa javë pas zjarreve të fuqishme që shkrumbuan zonat pyjore. Ekspertët mendojnë se pikërisht ky fakt ka bërë që zona të preket nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!