Prokuroria e Nju Jorkut ka ngritur një padi ndaj fondacionit Trump, nën akuzën se ka shkelur ligjet federale të bamirësisë për përfitime personale. Në padi përfshihen edhe fëmijët e Presidentit, që morën drejtimin e fondacionit pasi Trump mori detyrën.
Prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut ka paditur të enjten fondacionin e bamirësisë të presidentit Donald Trump. Sipas mediave amerikane, padia përfshin fëmijët e presidentit, djemtë Eric dhe Donald Junior, që kanë marrë drejtimin e fondacionit që prej një viti, por edhe të bijën Ivanka.
Fëmijët e kreut të shtetit akuzohen se kanë shkelur ligjet shtetërore dhe federale të bamirësisë. Kryeprokurorja Barbara Underwood ka ngritur dyshime të bazuara se për më shumë se një dekadë fondacioni Trump ka kryer një seri praktikash ilegale dhe ka patur lidhje me stafin elektoral të presidentit.
Zyrtarja e lartë i ka kërkuar gjykatës që të shkrijë fondacionin jofitimprurës dhe të detyrojë familjen Trump të kryejë një rimbursim prej 2.8 milionë dollarësh, plus ndëshkimet shtesë. Gjithashtu, kryeprokurorja i ka kërkuar agjencisë së mbledhjes së taksave IRS dhe Komisionit Zgjedhor Federal që të bëjnë verifikime për shkelje të mundshme të ligjeve federale. Në padi, Underwood ngre dyshimet se Fondacioni Trump është angazhuar me vetëdijie në një seri transaksionesh ilegale që do t’i sillnin presidentit miliarder përfitime për interesa personale dhe sipërmarrëse.
Ndërkohë, një përfaqësues i fondacionit e ka cilësuar padinë si një lëvizje politike në dëm të presidentit. “Kjo është politikë e pastër, në modelin më të keq të saj. Fondacioni ka dhuruar mbi 19 milionë dollarë për kauzat e bamirësisë. Vetë presidenti ka kontribuar me mbi 8 milionë”, ka deklaruar përfaqësuesi. /abcnews.al