SHBA, prodhuesi elitë i armëve shpall falimentin

schedule19:23 - 26 Mars, 2018

schedule 19:23 - 26 Mars, 2018

Në një kohë, kur debati për kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara ka arritur kulmin, kompania elitë e prodhimit të pushkëve dhe pistoletave, “Remington”, ka shpallur falimentin për shkak të rënies drastike të shitjeve.

Prodhuesi më i vjetër i armëve në Shtetet e Bashkuara, “Remington Outdor”, ka shpallur falimentin për shkak të rënies së shitjeve. Kompania, e themeluar mbi 200 vite më parë, zyrtarizoi falimentin dhe kërkoi mbrojtje financiare, derisa të përmbushë marrëveshjet me kreditorët e saj. Shefi i sektorit financiar të “Remington” deklaroi se shitjet kishin rënë ndjeshëm që një vit përpara kapitullimit.

Njoftimi i kompanisë elitë vjen në një kohë kur në mbarë Shtetet e Bashkuara po bëhet thirrje për një kontroll më të ashpër të armëve. Ngjarja e Shkurtit në një shkollë të Floridës riktheu debatin dhe ditën e shtunë disa qindra mijëra manifestues mbushën rrugët e qyteteve amerikane. Disa shitës kanë ngritur kufirin e moshës për disa kategori armësh në 21 vjeç, ose kanë ndërprerë shitjen e atyre automatike.

FBI zhvilloi një numër të lartë kontrollesh bazë për blerjet e armëve në vitin elektoral 2016, por niveli i tyre ra menjëherë pas zgjedhjes së presidentit Trump. Analistët deklarojnë se shumë amerikanë blenë armë dy vite më parë sepse i druheshin fitores së Hillary Clinton, e cila do të shtrëngonte politikat për armëmbajtjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!