SHBA, priten deportime të emigrantëve pa dokumente

schedule17:25 - 12 Korrik, 2019

schedule 17:25 - 12 Korrik, 2019

Në Shtetet e Bashkuara, agjentët e Emigracionit dhe të Doganave njoftohet se do të fillojnë të dielën operacionet për ndalimin e imigrantëve pa dokumente. Operacionet kanë në shënjestër të paktën 2,000 njerëz pa dokumente për të cilët janë lëshuar urdhra dëbimi.

Megjithëse nuk është konfirmuar nga Agjencia e Emigracionit dhe Doganave, operacioni vjen tri javë pasi presidenti Donald Trump premtoi të fillojë deportimin e “miliona të huajve të paligjshëm” në Shtetet e Bashkuara.

Një zëdhënëse e koalicionit për të drejtat e emigrantëve në Los Anxhelos beson se bastisjet do të fillojnë para ditës së diel.

“Kemi dëgjuar se administrata Trump synon të kryejë bastisje duke filluar nga e diela. Kemi parë tashmë një farë aktiviteti dhe nuk besoj që ata të presin deri të dielën prandaj po përgatitim komunitetin tonë”, thotë Tessie Borden, drejtore e komunikimit në organizatën CHIRLA.

Drejtori në detyrë i Shërbimit për Shtetësinë dhe Emigracionin Ken Cuccinelli konfirmoi se bastisjet do të do të fillojnë, por nuk dha hollësi.

“Kjo do të ndodhë pa asnjë dyshim. Janë rreth një milion njerëz me urdhra deportimi. Sigurisht që nuk do të ndiqen të gjithë, por ata njerëz që kanë kaluar nëpër të gjithë procesin, deri te deportimi.

Një zyrtar i tha Zërit të Amerikës se ende nuk mund të japë numrin e njerëzve që përballen me urdhër deportimi, ose për të cilët procedurat e largimit kanë filluar.

Në Kongresin amerikan, udhëheqësi i pakicës demokrate të Senatit, Chuck Schumer, i dënoi bastisjet, duke thënë se ato janë projektuar qëllimisht për të qenë të ashpra./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!