SHBA, Pompeo pas takimit me zyrtarin korean: Sinjale pozitive

schedule23:09 - 31 Maj, 2018

schedule 23:09 - 31 Maj, 2018

Vizita e zyrtarit të lartë koreano-verior në Nju Jork duket se ka dhënë frytet e saj. Në përfundim të takimit kokë më kokë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar se SHBA dhe Korea e Veriut kanë shanse serioze për një të ardhme të paqtë.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut mund të hyjnë në një epokë të re paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Kështu ka deklaruar sekretari i Shtetit, Mike Pompeo pas takimit të zhvilluar në Nju Jork me zyrtarin e lartë koreano-verior, Kim Jong Çol. Në një konferencë për shtyp, Pompeo ka thënë se bisedimet kanë qenë pozitive dhe se procesi i çarmatimit bërthamor të vendit aziatik është në rrugën e duhur. “Vizita e gjeneralit Kim Jong Çol është ogur i një shansi pozitiv në marrëdhëniet tona, të cilin palët nuk duhet ta lënë t’u shpëtojë”, ka thënë Pompeo. Ai ka shtuar se, zyrtari i lartë i Penianit është drejtuar për në Uashington, për t’i dorëzuar presidentit Donald Trump një letër. Vizita e ish-shefit të shërbimeve sekrete në Nju Jork është e para që një zyrtar i Veriut të izoluar zhvillon në Shtetet e Bashkuara në 20 vjet. Më herët gjatë muajit, presidenti Trump njoftoi anulimin e takimit me Kim Jong Un, i planifikuar për më 12 qershor në Singapor. Por aktualisht të dyja palët po punojnë për ta mbajtur atë. Në ishullin-shtet ndodhet një ekip amerikan i udhëhequr nga zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Joe Hagin; dhe një koreano-verior që kryesohet nga shefi i stafit të Kim Jong Un. Dy ekipet po punojnë për tryezën e 12 qershorit, që nëse realizohet do të jetë e para mes një presidenti amerikan dhe një koreano-verior pas shumë dekadash. paralelisht, zëvendës ministri i Jashtëm i Veriut është takuar në ish-zonën ushtarake me ish-ambasadorin amerikan në Seul, Sung Kim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!