Në ditën e dytë të punimeve të samitit të NATO-s, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje aleatëve që të përshtaten ndaj kërcënimeve të reja, që përveç se nga Rusia vijnë edhe nga Kina. Uashingtoni e ka vënë theksin tek rreziku nga sulmet kibernetike, spiunazhi elektronik dhe emigracioni i pakontrolluar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të përshtaten ndaj kërcënimeve të reja që vijnë jo vetëm nga Rusia, por edhe Kina, e cila po shfaqet si një konkurrente e fortë në rrafshin ekonomik. Pompeo e bëri apelin e tij në ditën e dytë të punimeve të samitit të Aleancës, që po ndiqet nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.
“Duhet ta përshtasim aleancën tonë edhe ndaj kërcënimeve të reja siç janë Kina, emigracioni i pakontrolluar, sulmet kibernetike, ndërhyrja në rrjetin 5G dhe shumë forma të tjera”, deklaroi Pompeo, pa anashkaluar natyrisht Rusinë.
Në strategjinë kombëtare të mbrojtjes për vitin 2018, ushtria amerikane renditi kontrastin ndaj Kinës dhe Rusisë si prioritetin kryesor të saj. Në këto aspekte është fokusuar edhe samiti i NATO-s, që mes të tjerash do të përpiqet të aprovojë një paketë që nxit rritjen e pranisë së Aleancës në Detin e Zi. Sa i takon luftës kibernetike, Uashingtoni ka bërë të ditur se nuk do të bëjë partneritet me vendet që pranojnë sistemet teknologjike kineze të markës së njohur “HUA UEI”. Por këtu Shtetet e Bashkuara po hasin në shpërfilljen e vendeve të Bashkimit Europian, që nuk e kanë përjashtuar gjigandin kinez nga tenderat për linjën e re të internetit 5G. /abcnews.al