Sondazh

Zvërneci, protestë për:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA po përgatit reduktimin e pranisë ushtarake në Europë

schedule21:18 - 12 Qershor, 2026

schedule 21:18 - 12 Qershor, 2026

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një reduktim të ndjeshëm të pranisë së tyre ushtarake në Europë, në një lëvizje që shihet si pjesë e strategjisë së administratës amerikane për të ulur varësinë e aleatëve europianë nga mbështetja ushtarake e Uashingtonit.

Sipas informacioneve të publikuara fillimisht nga gazeta gjermane Die Welt dhe të zgjeruara më pas nga The New York Times, Pentagoni ka hartuar një plan që parashikon katër masa kryesore në fushën e mbrojtjes ajrore dhe detare.

Plani përfshin tërheqjen e rreth një të tretës së avionëve luftarakë amerikanë F-16 dhe F-35 të vendosur aktualisht në Europë. Nga afro 150 avionë që ndodhen sot në kontinent, numri i tyre mund të reduktohet në rreth 100.



Një tjetër masë parashikon uljen e numrit të avionëve të zbulimit detar nga 25 në 15, si dhe kthimin në SHBA të të tetë avionëve cisternë që përdoren për furnizimin me karburant në ajër. Këta avionë konsiderohen thelbësorë për operacionet me rreze të gjatë veprimi dhe mungesa e tyre do të ishte e vështirë të kompensohej nga vendet europiane.

Po ashtu, Pentagoni po shqyrton zhvendosjen jashtë Europës të një nëndetëseje të pajisur me raketa, si dhe të një grupi detar të përbërë nga një aeroplanmbajtëse dhe anije të tjera luftarake. Në plan përfshihet edhe pezullimi i dërgimit në Europë i dy grupeve bombarduesish strategjikë që ishin planifikuar më herët.

Megjithëse nuk ka ende një njoftim zyrtar për këto masa, The New York Times shkruan se plani ndodhet në një dokument, që u është shpërndarë drejtuesve të NATO-s.

Në fillim të qershorit, komandanti suprem i forcave aleate në Europë, Alexus Grynkewich, paralajmëroi publikisht se aleanca duhet të përshtatet me realitetet e reja strategjike.

“Në NATO ka pasur një varësi jo të shëndetshme nga modeli i forcave të armatosura amerikane. Presidenti Donald Trump, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë. Dhe do të ndryshojë”, deklaroi ai.

Burime të NATO-s, të cituara nga agjencia italiane ANSA, kanë bërë të ditur se plani nuk është ende përfundimtar dhe se Aleanca po punon për të kompensuar çdo reduktim të mundshëm të forcave amerikane.

Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes. Ish-zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alessandro Minuto Rizzo, vlerëson se ende nuk bëhet fjalë për vendime përfundimtare.

Dokumentet e punës, hipotezat dhe skenarët nuk janë plane operative të miratuara dhe të gatshme për zbatim. Gjithçka do të varet nga afatet kohore me të cilat do të merren këto vendime”, tha ai.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me aftësinë e vendeve europiane për të zëvendësuar avionët F-16 dhe F-35. Prodhuesi amerikan Lockheed Martin ka një numër të madh porosish në pritje dhe nuk mund të garantojë furnizime të shpejta. Situata është edhe më e ndërlikuar sa i përket avionëve cisternë, pasi shumica e vendeve europiane disponojnë kapacitete shumë të kufizuara në këtë sektor.

Ndërkohë, diskutimet nuk kufizohen vetëm te forcat ajrore. Në muajin maj, presidenti Donald Trump urdhëroi tërheqjen e rreth 5 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania. Më pas, Pentagoni pezulloi dislokimin në Poloni të brigadës së blinduar “Black Jack”, e përbërë nga rreth 4 mijë trupa.

Edhe pse më 22 maj, Trump premtoi dërgimin e 5 mijë ushtarëve të tjerë në Poloni, deri më 12 qershor, nuk ka shenja konkrete për realizimin e këtij angazhimi. Trupat e brigadës “Black Jack” vazhdojnë të qëndrojnë në bazën Fort Hood në Teksas.

Aktualisht, në Poloni ndodhen rreth 10 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa në të gjithë Europën numri i tyre arrin në rreth 85 mijë. Qeveria polake shpenzon rreth 150 milionë dollarë në vit për të mbështetur praninë e forcave amerikane në territorin e saj, një kosto që Varshava e konsideron investim strategjik për sigurinë kombëtare.

Çështja pritet të jetë një nga temat më të debatueshme në samitin e ardhshëm të NATO-s, ku liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Europë dhe rolin e aleatëve europianë në mbrojtjen e kontinentit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!