Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha të dielën se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të gjetur mënyra që të zbusin kufizimet e patentave mbrojtëse për vaksinat e sapo-zhvilluara kundër koronavirusit.
“Ky është thelbi: Ne besojmë se kompanitë farmaceutike duhet të ofrojnë vaksina në sasinë e duhur me çmim të bazuar tek kostoja për mbarë botën që të mos krijohen pengesa ndaj vaksinimit kudo në botë,” tha zoti Sullivan.
Komentet e tij për kanalin televiziv ABC pasojnë presionin nga një grup senatorësh demokratë, të cilët i kanë dërguar letër Presidentit Joe Biden ku i kërkojnë që të trajtojë “me prioritet njerëzit dhe jo kompanitë farmaceutike”.
Ai shtoi se përfaqësuesja tregtare e Shteteve të Bashkuara, Katherine Tai “është e angazhuar në konsultime intensive me Organizatën Botërore të Tregtisë OBT për këtë temë”.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera deri tani kanë bllokuar negociatat përmes Organizatës Botërore të Tregtisë për një propozim të paraqitur nga India dhe Afrika e Jugut për të hequr mbrojtjen që ofron patenta për vaksinat kundër koronavirusit. Kjo do t’u hiqte ekskluzivitetin kompanive farmaceutike që i kanë zhvilluar këto vaksina dhe do të lejonte vende të ndryshme të prodhonin sasitë që u nevojiten.
Kritikët e këtij propozimi thonë se anulimi i patentave mund të dobësojë sigurinë e vaksinave dhe se krijimi i qendrave të tjera të prodhimit do të dëmtonte furnizimin me lëndët e domosdoshme të objekteve ekzistuese të prodhimit./ VOA