SHBA përgatit transferimin e pushtetit; Mekanizmi i ka fillesat në vitin 1797

schedule16:49 - 16 Nëntor, 2024

schedule 16:49 - 16 Nëntor, 2024

Ndërsa presidenti i sapozgjedhur Donald Trump bëhet gati për të marrë detyrën, një proces i koordinuar me kujdes është duke u zhvilluar, për të transferuar pushtetin nga administrata që po largohet tek ajo e re. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Salem Solomon na sjell këndvështrimet e ekspertëve se si qeveria federale po përgatitet për këtë moment kyç në demokracinë amerikane.

Një transferim paqësor i pushtetit – një traditë e qëndrueshme, një premtim solemn dhe një komponent i rëndësishëm i demokracisë amerikane…

Pasi zgjidhet një president amerikan, ka një mori aktivitetesh përpara se ai të bëjë betimin.

Shtatëdhjetë e gjashtë ditë nga zgjedhjet deri në ditën e inaugurimit mund të tingëllojnë si kohë e mjaftueshme, por kalimi nga një administratë në tjetrën nuk është aspak i thjeshtë, thotë Michael Shurkin, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe tani është drejtor i programeve globale në firmën “14 North Strategies”.

“Duam të sigurohemi që presidenti të ketë sukses. Pra, nëse ata duan të rishikojnë politikat, ne do t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë duke u thënë ato që dimë dhe duke u shpjeguar se çfarë po ndodh”, thotë ai.

Presidenti i zgjedhur e merr zyrtarisht detyrën më 20 janar, por planifikimi duhet të fillojë shumë më herët, thotë Valerie Smith Boyd me Qendrën për Tranzicionin Presidencial.

“Është një detyrë jashtëzakonisht e madhe dhe gjëja e parë që organizata jonë bën është të nxisë kandidatët presidencialë që ta fillojnë procesin e planifikimit që në pranverën e vitit zgjedhor. Sigurisht që ata kanë një fokus të madh tek fitorja e zgjedhjeve, por gjithashtu duhet të krijojnë një organizatë të veçantë që konsideron se si të shqyrtojë qindra mijëra biografi për të përzgjedhur saktësisht njerëzit e duhur, për t’i shndërruar premtimet e tyre politike në veprime”, thotë zonja Boyd.

Plotësimi i posteve qeveritare nuk është punë e vogël. Shumë nga pozicionet kërkojnë konfirmimin e Senatit, ndërsa të tjerat duhet të kalojnë në procesin e certifikatës së sigurisë, duke krijuar kështu një periudhë delikate, thotë ekspertja Boyd.

“E shohim periudhën e tranzicionit si një periudhë delikate për vendin, sepse të emëruarit politikë, udhëheqësit e lartë po largohen nga administrata. Mund të ketë vonesa në futjen e njerëzve të rinj, dhe sigurisht që mund të krijojë disa sfida në komunikim, ose në kuptimin e rregullave dhe përgjegjësive”, thotë zonja Boyd.

Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë të transferimit paqësor të pushtetit që i ka fillesat në vitin 1797, kur George Washington ia dorëzoi presidencën John Adamsit. Në themelet e një transferimi të suksesshëm të pushtetit, thotë zonja Boyd, është komunikimi i qartë dhe efektiv.

“Një transferim paqësor i pushtetit në rastin më të mirë, bëhet me dy ekipe, një që vjen dhe një që largohet. Ata ndajnë informacion dhe bashkëpunojnë nga afër për të mbrojtur vendin dhe botën nga rreziqet shumë serioze”, thotë ajo.

Zoti Shurkin thekson se, në fund të fundit, ruajtja e një demokracie të qetë është më e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet.

“Që një demokraci të funksionojë, të gjithë duhet, në një nivel të caktuar, të kuptojnë se për sa kohë që sistemi funksionon, sistemi është disi më i rëndësishëm se ata. Integriteti i sistemit është më i rëndësishëm se nëse kandidati juaj i preferuar i fitoi apo i humbi zgjedhjet. Dhe unë mendoj se kjo ka qenë historikisht një arsye e rëndësishme përse demokracia amerikane ka qenë kaq e qëndrueshme dhe kaq relativisht e suksesshme”, thotë eksperti Shurkin.

Ndërsa vendi përgatitet për inaugurimin e ardhshëm presidencial, procesi i transferimit të pushtetit risjell në vëmendje njerëzit që punojnë larg syve të opinionit publik, të cilët mundësojnë që demokracia të funksionojë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!