“Cilido që thotë se reforma në drejtësi është e kompromentuar apo po dështon, e ka gabim”. Është ky mesazhi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet të ngarkuarës me punë Lejla Mozé-Uan.
Tymnaja e problemeve të Shqipërisë nuk mund të venisë atë që po ndodh me reformën në drejtësi. Ky këndvështrim pozitiv i situatës aktuale në vend u nënvizua edhe nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Lajmi i mirë është se Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë. Reforma në drejtësi, për shembull, është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë.
Atyre që mendojnë të kundërtën i përgjigjet prerë. Mesazhi im për cilindo që thotë se reforma në drejtësi është kompromentuar apo po dështon është: e keni gabim.
Në aktivitetin me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë kërkoi që reformat të vazhdojnë pasi pavarësisht lajmeve të mira që dha rruga është ende e gjatë.
Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe krijimit të një ekonomie të forte që është e lirë dhe e barabartë për cilindo.
Në 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zëvendës ambasadorja amerikane foli edhe për angazhimin e SHBA-ve ndaj aleancës. Sfida me të cilat përballen janë të shumta tha ajo, duke veçuar terrorizmin si një nga rreziqet që duhet mposhtur e luftuar me çdo kusht, por edhe Rusinë që përpiqet sipas saj të minojë demokracitë perëndimore./abcnews.al