Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Iranin se mund të pësojë një goditje shkatërruese nëse fillon një sulm në shkallë të gjerë kundër Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh të qartë Iranit: rreziku i përshkallëzimit serioz nëse ai do të nisë një sulm hakmarrës kundër Izraelit është jashtëzakonisht i lartë. Nëse ndiqet kjo rrugë, ka një rrezik serioz të pasojave për ekonominë iraniane dhe stabilitetin e qeverisë së saj të sapozgjedhur”.
Ndërkohë Irani ka bërë të ditur se ka në përdorim armë të reja të panjohura nga pala kundërshtare. Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve të Iranit, “Tasnim” raporton se Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare ka raketa të reja “Kruize” të pajisura me koka luftarake të pazbulueshme por të cilat përmbajnë sasi të mëdha eksplozivi.
Sakaq Izraeli po përpiqet të arrijë një marrëveshje për lirimin sa më shpejt të të gjithë pengjeve të cilët mbahen nga Hamasi. Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant, kërkoi lirimin e sa më shpejt të pengjeve.
Reagimi i Gallant vjen pas deklaratës së SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit për Izraelin dhe Hamasin të cilët kanë kërkuar rifillimin e negociatave për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve. Izraeli ka bërë të ditur se do të dërgojë negociatorë në bisedimet e propozuara, të cilat do të mbahen në 15 gusht në Doha ose Kajro.
Hamasi nga ana e tij nuk i është përgjigjur një kërkese të tillë. Por arritja e një marrëveshje mes palëve ka pak gjasa të ndodhë, kjo pasi ushtria izralite me një vendim të fundit ka konfirmuar nisjen e një operacioni të ri tokësor në Rripin jugor të Gazës, në Khan Younis, pasi shteti hebraik zotëron informacione që tregon praninë e terroristëve dhe infrastrukturave terroriste në Gaza.
/abcnews.al