Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse do të nisë sulme kundër amerikanëve, paralajmëroi sot Shtëpia e Bardhë, një ditë pasi Teherani njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj 52 zyrtarëve të tjerë amerikanë për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në vitin 2020.
“Ne do të punojmë me partnerët dhe aleatët tanë për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur çdo sulmi nga Irani,” tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. “Nëse Irani sulmon ndonjë nga qytetarët tanë, përfshirë 52 personat që sanksionoi dje, do të ketë pasoja të rënda”, shtoi ai.
Dje Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se vendosi sanksione ndaj 52 amerikanëve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “terrorizëm”. Midis zyrtarëve janë gjenerali amerikan Mark Miley, shefi i shtabit të ushtrisë amerikane dhe ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Robert O’Brien.
Në një lëvizje të ngjashme vitin e kaluar, Irani vendosi sanksione ndaj ish-presidentit të SHBA Donald Trump dhe disa zyrtarëve të lartë.
Sipas vendimit, autoritetet iraniane mund të konfiskojnë çdo pasuri nga zyrtarët amerikanë në Iran, por duke qenë se nuk ka asnjë, sanksionet duket se janë kryesisht simbolike.
Soleimani, udhëheqësi i forcës Kunduz, i cili është përgjegjës për kryerjen e operacioneve jashtë vendit për Gardën Revolucionare, u vra më 3 janar 2020, në një sulm ajror në aeroportin e Bagdadit të urdhëruar nga presidenti i atëhershëm Trump.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha të hënën se Donald Trump duhet të sillet para drejtësisë për atentatin, duke shtuar se përndryshe Teherani do të hakmerrej. g.v/abcnews.al