SHBA paralajmëroi evakuimin e familjeve të diplomatëve nga Kievi, Ukraina: Plane të nxituara

schedule16:18 - 24 Janar, 2022

schedule 16:18 - 24 Janar, 2022

Ukraina tha se planet e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar familjet e diplomatëve nga Kievi janë të nxituara dhe tregojnë një kujdes të tepruar. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të dielën se po urdhëronte anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin nga Ukraina, ndërsa presidenti Joe Biden po shqyrton opsionet për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropën Lindore për të kundërshtuar një grumbullim të trupave ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha sot (24 janar) se hapi i Shteteve të Bashkuara për të larguar familjet e diplomatëve të tyre nga Kievi është “i parakohshëm dhe manifestim i një kujdesi të tepruar”.

“Ne respektojmë të drejtat e shteteve të huaja për të ofruar siguri për misionet e tyre diplomatike; megjithatë, e konsiderojmë këtë veprim të Shteteve të Bashkuara si të parakohshëm dhe një manifestim të kujdesit të tepruar. Në fakt, nuk ka pasur ndryshime thelbësore në situatën e sigurisë kohët e fundit”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i ministrisë së Jashtme ukrainase.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të dielën se po urdhëronte anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin nga Ukraina, ndërsa presidenti Joe Biden shqyrton opsionet për rritjen e pranisë ushtarake të Amerikës në Evropën Lindore për të kundërshtuar një grumbullim të trupave ruse.

Urdhri, i cili gjithashtu lejon diplomatët amerikanë të vendosur në ambasadën e Kievit, të largohen vullnetarisht, ishte një nga shenjat më të qarta deri tani se zyrtarët amerikanë po përgatiten për një lëvizje agresive ruse në rajon.

“Veprimet ushtarake nga Rusia mund të vijnë në çdo kohë”, tha ambasada amerikane në një deklaratë. Zyrtarët “nuk do të jenë në gjendje të evakuojnë qytetarët amerikanë në një rast të tillë, kështu që qytetarët amerikanë të pranishëm aktualisht në Ukrainë duhet të planifikojnë sipas rrethanave,” thuhet në deklaratë.

Ambasada britanike në Ukrainë tha të hënën se një pjesë e personelit po tërhiqej nga Kievi si përgjigje ndaj “një kërcënimi në rritje nga Rusia”.

“Ambasada Britanike mbetet e hapur dhe do të vazhdojë të kryejë funksione thelbësore”, tha ambasada përmes Twitter-it.

Tensionet në Ukrainë janë rritur për muaj me radhë pasi Kremlini grumbulloi rreth 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, një rritje dramatike që Perëndimi thotë se është përgatitje për një luftë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e NATO-s.

Banorët e Kievit janë të shqetësuar për situatën e sigurisë.

“Një zoti e di çfarë do të ndodh. Ndoshta ish presidenti Janukoviçi kthehet. Gjithçka mund të ndodhë. Shpresoj të jetojmë normalisht dhe të qetë. Dhe Ukraina do të jetë e pavarur dhe gjithçka të shkojë mire. Shpresojmë”, thotë Boris, punëtor ndërtimi.

“Është e pamundur të parashikohet çdo gjë. Sepse askush nuk e di, edhe vetë Putini nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Por fakti që ne marrim ndihmë ndërkombëtare, përfshi ndihmë ushtarake – mendoj se kjo është gjëja e mirë dhe më e nevojshme”, thotë Inna, banore e Kievit.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur se po planifikon të pushtojë Ukrainën, por ushtria ruse tashmë ka aneksuar një pjesë të territorit ukrainas, kur pushtoi Krimenë dhe mbështet forcat separatiste, që morën kontrollin e pjesëve të mëdha të Ukrainës lindore tetë vjet më parë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!