SHBA, papunësia në minimumin historik

schedule23:15 - 3 Maj, 2019

schedule 23:15 - 3 Maj, 2019

Në Shtetet e Bashkuara papunësia ka prekur minimumin historik. Duke publikuar të dhënat e muajit prill, Departamenti i Punës ka bërë me dije se bëhet fjalë për shifrën më të ulët që prej vitit 1969.

Papunësia në Shtetet e Bashkuara ra në prill në nivelin më të ulët të 5 dekadave të fundit. Konkretisht, kuota pësoi një rënie nga 3.8 në 3.6 për qind, shifër që sipas Departamentit të Punës përbën nivelin më të ulët që prej dhjetorit të vitit 1969. Sidoqoftë, rënia i detyrohet një numri të madh njerëzish, 490 mijë, që përgjatë muajit të kaluar kanë braktisur krahun e punës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ekonomia numër një në botë pati gjatë prillit një shtim prej 263 mijë vendesh pune. Sa u takon pagave, të dhënat tregojnë se rrogat mesatare u rritën me 3.2 për qind në kuotë vjetore. Analistët deklarojnë se shifrat tregojnë se ekonomia vazhdon të jetë e shëndetshme, por nuk po ecën me hapin e duhur që të shtyjë Rezervën Federale të ndryshojë normat e interesit.

Sidoqoftë, gjatë prillit rritja e punësimeve u verifikua thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë amerikane. Megjithatë ka patur pak ndryshim në shifrat e punëtorëve me kohë të pjesshme të detyruar. Numri i njerëzve që punonin me kohë të pjesshme sepse orët e tyre ishin zvogëluar ose për shkak se nuk ishin në gjendje të gjenin punë me kohë të plotë mbetën në 4.7 milionë./ABC News Albania 24/7