SHBA, nisin operacionet e deportimit të emigrantëve

schedule23:25 - 12 Korrik, 2019

schedule 23:25 - 12 Korrik, 2019

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara nisin këtë fundjavë operacionet për deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Operacionet do të zhvillohen në të paktën 10 qytete dhe pritet të vënë në shënjestër rreth 2 mijë familje.

Autoritetet amerikane do të nisin këtë fundjavë operacionet për arrestimin dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Ka qenë vetë presidenti Donald Trump që ka konfirmuar lajmin, duke saktësuar se operacionet do të zhvillohen në 10 qytete.

Përpara tij, lajmin për operacionet e kishte bërë të ditur “Neë York Times”, përmes një artikulli të botuar javën e kaluar. Duke folur për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, presidenti ka deklaruar se nuk e shqetëson fakti që zhvillimi i operacioneve nuk është më sekret.

“Nëse lajmi del, del”, tha Trump. Të paktën 2 mijë familje emigrantësh janë përfshirë në listën e deportimit dhe do të jenë subjekt i arrestimeve, raportojnë mediat amerikane.

“Ne do të fokusohemi tek elementët kriminalë me të gjitha kapacitetet tona”, ka vijuar Trump në komunikimin e tij me mediat.

Ndërkohë, kryebashkiakët e një numri qytetesh ku do të zhvillohen operacionet kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me efektivët e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat, që do të kryejnë dhe arrestimet.

Në përpjekje për të ndalur fluksin e emigracionit nga vendet e Amerikës së Jugut dhe asaj Qendrore, presidenti Trump do të presë të hënën në Shtëpinë e Bardhë homologun guatemalas, Xhimi Morales./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!