Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

SHBA pezullon vizat për emigrantët/ Ngrin shqyrtimin për 75 vende, mes tyre Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

schedule18:21 - 14 Janar, 2026

schedule 18:21 - 14 Janar, 2026

Duke nisur nga 21 Janari, Departamenti Amerikan i Shtetit do të pezullojë shqyrtimin e të gjithë llojeve të vizave migratore për qytetarët nga 75 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë në këtë listë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën.

I vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk përfshihet në listën e pezullimit të vizave migratore është Serbia. Në deklaratën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit sqarohet se bëhet fjalë vetëm për vizat migratore, duke treguar kështu se qytetarët që duan të aplikojnë për viza turistike, viza studentore apo viza biznesi do të mund të vijojnë aplikimet e tyre.

Departamenti Amerikan i Shtetit shkroi në X se ky vendim i Administratës Trump u mor pasi emigrantët nga këto 75 shtete kanë përfituar padrejtësisht nga ndihmat sociale dhe pasi Presidenti mori vendimin për të anuluar programin e Lotarisë Amerikane. Vetëm disa ditë më parë Presidenti Amerikan Donald Trump kishte publikuar në rrjetin e tij social Truth Social të kombësive nga vinin qytetarët që përfitonin më shumë nga fondet e ndihmave publike, ku sipas kësaj liste 41.3% e familjeve shqiptare përfitonin nga këto fonde, ndërsa nga familjet shqiptare të Kosovës kjo shifër ishte në nivelin e 46%.



Pezullimi i shqyrtimit të vizave për emigrim që do të nisë që prej 21 Janarit të këtij viti, nuk ka një afat se kur do të përfundojë. Departamenti Amerikan i Shtetit pritet të rishqyrtojë ndryshimin e kësaj liste përgjatë muajve në vijim si dhe ndryshimet e procedurave për qytetarët e këtyre shteteve për marrjen e një vize amerikane.

Në mesin e vendeve për të cilat lëshimi i vizave do të pezullohen përkohësisht janë edhe Somalia, Rusia, Afganistani, Brazili, Iraku, Irani, Egjipti, Nigeria, Tajlanda dhe Jemeni. Sipas Aktit të Emigracionit që daton që nga viti 1882 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përcaktohet qartë se Departamenti Amerikan i Shtetit mund të pezullojë përkohësisht lëshimin dhe shqyrtimin e llojeve të ndryshme të vizave për ata qytetarë që vijnë nga ato shtete që sipas Washingtonit kanë shkaktuar “ngarkesë publike”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!